zoom

Ekonomi

Aftësia paguese e shqiptarëve u dobësua gjatë 2024-s

Në pjesën e parë të vitit 2024, përballë kostove të rritura të jetesës, familjet shqiptare raportojnë një dobësim të aftësisë së tyre paguese.

Në raportin e Bankës së Shqipërisë, për stabilitetin financiar, thuhet se 42% e familjeve të anketuara shprehën një situatë më të keqe financiare se një vit më parë.

Anketa tregon se të paktën 41% e familjeve kishin një hua për të paguar gjatë kësaj periudhe.

Familjet presin një ngadalësim të mëtejshëm të kërkesës së tyre për kredi, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024. Rreth 60% e atyre që janë përgjigjur kanë deklaruar se “nuk presin të marrin hua të re në 6 muajt e ardhshëm”.

Nga krahu tjetër, bankat perceptojnë se do të ketë rritje të kërkesës për kredi nga individët.

Pozicioni kreditor i individëve rezidentë ndaj sektorit bankar u zgjerua lehtë gjatë periudhës, për shkak të rritjes më të madhe të depozitave në krahasim me kreditë. Në terma relativë, rritja e kredisë, si në terma vjetorë ashtu edhe gjashtëmujorë, ishte më e madhe sesa rritja e depozitave.

Kërkesa për kredi u mbështet nga nevoja për konsum dhe për blerje pasurish të paluajtshme, kryesisht në monedhën vendase. Normat e interesit të kredisë së re për individët mbetën pothuajse të pandryshuara gjatë periudhës.

Bankat lehtësuan kushtet e përgjithshme të kredisë për individët, por sinjalizuan një shtrëngim të standardeve të kredidhënies.