Aplikacion
Ky është një nga ato raste kur superlativat nuk mjaftojnë për të përshkruar ndikimin e një vepre.
Seriali i ri britanik i Netflix, publikuar vetëm disa ditë më parë, është një përvojë vizuale dhe emocionale që trondit, sfidon dhe prek thellë. Nuk është i lehtë për t’u parë, por është i pamundur për t’u injoruar.
Miniseria përbëhet nga katër episode, secili me një gjatësi prej një ore, por ajo që e bën artistikisht të veçantë këtë projekt është mënyra e tij e realizimit: çdo episod është xhiruar me teknikën “one-shot”, një plan-sekuencë i vazhdueshëm, pa ndërprerje, montazh apo pushime në interpretim.
Kamera lëviz në mënyrë fluide mes personazheve, duke e bërë shikuesin pjesë të ngjarjes në një mënyrë hipnotizuese. Kjo teknikë ndihet veçanërisht në episodin e tretë, i cili e çon përvojën televizive në një nivel të ri, duke e mbajtur audiencën në një tension të pashoq emocional dhe psikologjik.
Por përtej aspektit teknik, “Adolescence” është një sfidë ndaj mediokritetit të përgjithshëm që dominon televizionin sot, veçanërisht në programet argëtuese dhe ato politike. Premisa e tij është tronditëse dhe nuk lë askënd indiferent:
Çfarë ndodh kur një 13-vjeçar, i qetë dhe me rezultate të shkëlqyera në shkollë, akuzohet për një femicid të tmerrshëm?
Kjo pyetje përshkon të gjithë rrëfimin, duke e kthyer serialin në një eksplorim të thellë të psikologjisë së adoleshentëve, mënyrës sesi idetë ndikojnë në formimin e tyre dhe rolit që modelet mashkullore kanë në jetën e një të riu. Në një mënyrë të paprecedentë, “Adolescence” ekspozon me brutalitet faktin se misogjinia nuk është thjesht një farë që mbillet, por një acid që korrodon gjithçka rreth saj.
-Një dritare për reflektim mes prindërve dhe adoleshentëve-
Përtej anës artistike dhe mesazhit të fuqishëm shoqëror, lind natyrshëm pyetja: A duhet ta shohin këtë serial prindërit me fëmijët e tyre adoleshentë?
Psikologët shpesh theksojnë se filmat apo serialet që trajtojnë problematika kaq të ndjeshme, si dhuna, identiteti dhe marrëdhëniet në adoleshencë, mund të jenë një mundësi e jashtëzakonshme për dialog mes prindërve dhe fëmijëve. Megjithatë, ndikimi i një seriali kaq intensiv te një adoleshent varet nga mosha, maturia emocionale dhe konteksti familjar.
Nga kërkimet shkencore mbi këtë temë, rekomandimi i psikologëve është që prindërit:
1. Të shohin fillimisht vetë serialin, për të vlerësuar nëse fëmijët e tyre janë emocionalisht të gatshëm për përmbajtjen.
2. Nëse vendosin ta shohin së bashku me ta, ta bëjnë këtë në mënyrë të ndërgjegjshme, duke hapur një diskutim mbi temat e trajtuara dhe duke i ndihmuar të rinjtë të përpunojnë emocionet që mund të lindin nga historia.
3. Të mos i shmangen bisedave të vështira, por t’i përdorin skenat e serialit si një pikënisje për të diskutuar mbi çështje të rëndësishme si presioni shoqëror, ndikimi i rrjeteve sociale dhe roli i modeleve mashkullore në formimin e identitetit të tyre.
Nëse një fëmijë është shumë i ri ose i ndjeshëm ndaj temave të dhunës dhe padrejtësisë sociale, mund të jetë më mirë që prindërit të zgjedhin të flasin për temat e serialit pa e parë atë drejtpërdrejt me fëmijët e tyre.
-“Adolescence” – Një vepër që nuk të lë të njëjtin person-
Ky serial nuk është vetëm një histori tronditëse, por një thirrje urgjente për reflektim mbi boshllëqet e komunikimit mes brezave. Ai tregon sesi mungesa e edukimit emocional dhe indiferenca e shoqërisë ndaj problemeve të adoleshentëve mund të sjellë pasoja tragjike.
Të mos e shohësh do të ishte një lloj heshtjeje bashkëfajtore. “Adolescence” nuk të lejon të kthesh kokën mënjanë dhe për këtë arsye është një nga serialet më të rëndësishme të kohëve të fundit.
Nëse ende nuk e keni parë, është koha ta vendosni në listën tuaj – jo vetëm për të përjetuar një nga serialet më të mira të viteve të fundit, por edhe për të hapur një diskutim të nevojshëm mbi shoqërinë dhe edukimin e të rinjve./ Gert Zenelaj