Aplikacion
Ai iu është përgjigjur me “Skype” pyetjeve të drejtuara nga kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, lidhur me ngritjen e këtij inceneratori, lidhjet me Klodian Zoton, Mirel Mërtirin e Stela Gugalljan, apo pagat, ku për shumë pyetje ka zgjedhur të përgjigjet shkurtër me “Nuk e di, nuk e mbaj mend”.
PJESË NGA PYETJE – PËRGJIGJET NË KOMISIONIN HETIMOR PËR INCENERATORËT
Jorida Tabaku: Kompania juaj nga gjen të ardhura përveç buxhetit të shtetit?
Administratori i Incenertorit të Fierit Loran Dusha: Kompania përveç buxhetit të shtetit nuk ka.
Jorida Tabaku: Përse ishte e nevojshme që të merrnit një kredi me garanci sovrane kur pagesat e buxhetit të shtetit nuk kanë ndaluar asnjë moment në vitin 2019. Sapo deklaruat se keni marrë 69 milionë lek për pagat. Pagat ju I paguani me të vetmet të ardhura, nga buxheti I shtetit që nuk kanë ndaluar për asnjë ditë. Për çfarë duhej shtesë garancia sovrane?
Administratori: Gjatë kohës së pandemisë ka pasur edhe vonesa në pagesa. për paga.
Jorida Tabaku: Asnjë vonesë nuk ka pasur për konçesionarin e Fierit në pagesa. Të janë paguar të gjitha një më një. Kam pagesat e thesarit, një më një, që të gjitha. Një grup kompanish, kompania Frogi, Amco&Co, Alpha Power, Elvis03 Group, Alber Co&Co, AA 117, MP&A Company, GleVan, EZ&La, janë kompani, një pjesë e tyre, të akuzuara për mashtrime me faturat në vitin 2016. Administratori i kompanisë Frogi në fakt ka qenë edhe i arrestuar, janë kompani nënkontraktore të tjera përveç Klodian Zotos në biznesin tuaj të provuar që kanë xhiruar fatura fiktive për TVSH-në. A e mbani mend se çfarë punësh kanë kryer këto kompani?
Administratori: Nuk kam dijeni se nuk kam qenë në atë periudhë.
Jorida Tabaku: Që keni paguar kompani që s’kanë kryer punë? Kanë xhiruar fatura fiktive. Ju administratori i konçesionarit?
Administratori: Unë kam filluar më datë 28 të 2017-ës se çfarë punimesh janë bërë më përpara… Nuk kam dijeni sepse nuk kam qenë…
Jorida Tabaku: Flas pas asaj periudhe. I referohem viteve 2018, 2019, 2020. Kësaj periudhe i referohem.
Administratori: Janë kompani nënkontraktore që mund të kenë kryer punime dhe janë pagesa të prapambetura. Nuk e di për çfarë po flisni. Në dijeninë time nuk di që ka fatura fiktive.
Jorida Tabaku: Cili është kontakti juaj përgjegjës në Ministri? Me kë komunikoni?
Administratori: Nuk e mbaj mend.
Jorida Tabaku: Nuk e mban mend se ku i nisni shkresat?
Administratori: Nuk e mbaj mend.
Jorida Tabaku: Po çfarë mbani mend si administrator i kompanisë gjatë kësaj periudhe?
Administratori: Unë po jap përgjigjen time. Ju lutem, mos… Unë nuk mbaj mend…
Jorida Tabaku: Ju nuk mbani mend asgjë për atë që dorëzoni me firmën tuaj…?
Administratori: Nuk mbaj mend personin kush është X, apo Y. Nuk e mbaj mend.
Jorida Tabaku: Unë jam jashtëzakonisht e shqetësuar sepse këtu bëhet fjalë për fonde publike. Bëhet fjalë për kredi me garanci sovrane. Po flasim për 23 milionë euro. Kam një kërkesë për z. Dusha, për çdo gjë që nuk mban mend, të lutem mbaje mend përpara SPAK-ut.