Aplikacion
Vokshi u ndal tek abuzimi i minorenes nga i ati në Kamëz dhe tha se rasti nuk u referua nga shkolla, por privatisht e sipas saj, kryeministri Edi Rama duhet ta kishte shkarkuar menjëherë ministren e Arsimit.
“Çdo ditë në shkallët e kryeministrisë apo në komisionet parlamentare ministrat flasin për arritjet spektakolare ndërkohë që 51% e shqiptarëve janë në kushtet ekstreme të varfërisë, ne po harrojmë çështje jetike. Po harrojmë të flasim për sigurinë e fëmijëve në shkolla. 4 herë ministrja Kushi ka refuzuar të vijë në komisionin e shëndetësisë për të raportuar. 4 herë e ka shkelur kushtetutën në dy javë. Më qesharakja është se ndiqte live mbledhjen, pra kohë kishte, por s’kishte dëshirë. Çfarë e shtynte ministren Kushi të shkelte kushtetutën?
Edi Rama nuk e do arsimin, nuk i pëlqen të arsimuarit. Dështimi më i madh është siguria e fëmijëve në shkolla. 81 raste dhunimi në shkolla nga prilli deri në qershor, 44 raste dhunë seksuale. Çfarë u bë me programet e trumbetuara, sistemi ka dështuar. Në Kamëz një vajzë 6 vjeçe është dhunuar nga i ati. Rasti nuk është referuar nga drejtori i shkollës, vetëm falë një mësueseje rasti është referuar privatisht. Asnjëri nuk ka referuar rastin e vajzës. Në një rast të tillë, kryeministri duhet ta kishte shkarkuar menjëherë ministren Kushi. Sistemi arsimor nuk po i mbron fëmijët. Ka dështuar dhe për këtë mban përgjegjësi ministrja Kushi, që as tani nuk është në sallë.
Hetim urgjent, profesional të rastit të Kamzës. Duhet të shkundet sistemi. Kërkoj që të ngrihet menjëherë nënkomisioni për çështjet e grave dhe fëmijëve, do kërkoj një dëgjesë urgjente me institucionet”, tha Vokshi.
Nga ana tjetër ajo tha se si menaxhimi i pandemisë dhe procesi i vaksinimit është një nga dështimet më të mëdha të qeverisjes Rama.