Aplikacion
Emri i politikanit kosovar mbetet mister. Dosja e FBI-së në ngarkim të McGonigal-it nuk e përmend atë. I vetmi me emër është ai i Edi Ramës.
Por gazetarë nga Kosova thonë se kontaktet e tij ishin me liderë politikë, ish -luftëtarë të UÇK-së. U ka kërkuar atyre nga 250 mijë dollarë për t’u hequr akuzat e pretenduara.
“Nuk është aspak lajm i çuditshëm që “x” apo “y” nga liderët e Kosovës ose të Shqipërisë takohen me një zyrtar të lartë të FBI-së. Nuk është sekret që ish-ambasadorja jonë në SHBA, Vlora Çitaku ka pasur lidhje me këtë grup, pastaj Enver Hoxha etj,”- deklaroi pak ditë më parë gazetari Milaim Zeka.
Me Vlora Çitakun, Konsullen e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork nga shtatori 2015 deri në mars 2021, McGonigal-i ishte takuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një prej takimeve, në vitin 2018 kur Mcgonigal-i ishte ende në detyrë, Çitaku e kishte bërë vetë publik. Kishte qenë e ftuar përpara agjentëve të FBI-së për rolin e SHBA-së në Evropë.
Nga aktiviteti, diplomatja e Kosovës publikoi edhe dy foto. Në të dyja shfaqet me Charles McGonigal-in. Ishte pikërisht koha kur McGonigal-i ishte përfshirë intensivisht në marrëdhënie të fshehta dhe korruptive, sipas FBI-së, në Shqipëri e Kosovë.
Takimet përkojnë me një situatë të nxehtë politike në Kosovë. Presidenti i asaj kohe, Hashim Thaçi kishte artikuluar publikisht idenë e shkëmbimeve të territoreve me Serbinë.
“Angazhimi im 100% është i koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE dhe gjithë aktorët që duan paqe dhe stabilitet, konsolidim të shtetit të Kosovës edhe në rrafshin ndërkombëtar. Nuk ka marrëveshje pa SHBA,”- deklaronte Thaçi.
Por paralelisht me këto zhvillime, Hashim Thaçi kishte nisur një sulm frontal ndaj Gjykatës Speciale. Kjo gjykatë po e hetonte atë prej për krime lufte dhe kundër njerëzimit. Ishte ajo që lëshoi urdhër-arrestin ditën kur Thaçi u nis nga Prishtina për në Bruksel e më pas në Uashington për të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
A ishte Thaçi ai që po i kërkonte ndihmë zyrtarit të lartë të FBI për akuzat, siç thotë gazetari Zeka se McGonigal-i u kërkoi shuma të mëdha parash ish -luftëtarëve të UÇK?
Kur McGonigal-i kryente udhëtime mes Shqipërisë e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Edi Rama ishin në kulmin e marrëdhënieve të tyre miqësore e vëllazërore. Pikërisht në atë kohë, Hashim Thaçi nisi një sulm të paprecedentë ndaj ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili kishte denoncuar Thaçin e Ramën si argat të Aleksandër Vuçiç-it, pasi ishte pozicionuar kundër idesë së shkëmbimit të territoreve.
Teksa Berisha e Thaçi përplaseshin publikisht, nën dirigjimin e McGonigal-it, FBI-ja po hetonte opozitën shqiptare si të lidhur me Rusinë.
Por janë këto zhvillime të lidhura me aktivitetin e McGonigal-it në Shqipëri e Kosovë?
Hetimi i mëtejshëm i FBI-së pritet të japë përgjigje për shumë pyetje që kanë lindur pas zbulimit të skandalit dhe të hedhë dritë edhe mbi emrin e politikanit kosovar që McGonigal-i takoi në Kosovë, por edhe për takimet që ai mund të ketë pasur me politikanë, biznesmenë e diplomatë nga Kosova, përfshirë Vlora Çitakun.
Vlora Çitaku e nisi karrerën e saj në UÇK si zëdhënëse dhe më pas u antarësua në Partinë Demokratike të Kosovës, të drejtuar nga Hashim Thaçi. Nën PDK-në, ajo mori dy herë mandatin e deputetes, ndërsa ka qenë edhe ministre e Integrimeve Evropiane.
Çitaku nuk u është përgjigjur akuzave të gazetarit Zeka për lidhjet e saj me grupin e McGonigal. /Zoom.al