zoom

Aktualitet

A e montoi Çervenkovski minën që vrau Vajdin Lamen? Maqedonasi thërritet sërish në SPAK

Joshko Çervenkovski hyri sërish sot në zyrat e SPAK. Shtetasi maqedonas akuzohet nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Luftar Reçi, se ka montuar minën e komanduar që vrau biznesmenin Vajdin Lame dhe truprojën e tij Artan Arsi.
Ai u ndalua të hënën në Rinas dhe pa kaluar 24 orë nga ndalimi ai u thirr për t’u marrë në pyetje nga agjentët e BKH.

Ai kërkohej nga SPAK dhe nga avokatët e të akuzuarve për vrasjen e Vajdin Lames për t’u pyetur në lidhje me deklarimet e Luftar Reçit. Por avokatët e tij nuk e lejuan marrjen në pyetje, pasi kishin kërkuar që ai të pyetet me letërporosi.

E sotmja është hera e dytë që ai paraqitet në SPAK për t’u ballafaquar me deklarimet e Reçit.

DËSHMIA E LUFTAR REÇIT

Bashkëpunëtori i drejtësisë ka akuzuar Lulzim Berishën, Viktor Ymerin, Emiljano Shuallazin dhe Indrit Rusin për vrasjen e Vajdin Lames në ashensorin e pallatit ku jetonte në vitin 2005 në Tiranë. I akuzuar për ngjarjen është edhe Emiljano Shullazi.

“Ka qenë mesi i muajit shkurt të vitit 2005 kur Lulzim Berisha më ka marrë në telefon duke më pyetur nëse kishja më nga ato “nëntëshet” që janë tritol. Minën e mori Indrit Taulllai dhe më pas dëgjova se ishte vrarë Vajdin Lames” – ka deklaruar Luftar Reçi.

Luftar Reçi

Ai thotë më tej në dëshminë e tij se e kishte telefonuar Lulzim Berishën, por ai i kishte thënë se për ngjarjen ka dijeni Indrit Taullai.

Gjatë bisedave në tavolinë, Indrit Taullai, sipas Reçit është mburrur me vrasjen e Vajdin Lames duke thënë se “pordhën e madhe e kishin bërë copë copë…“.

Në dëshmi, Reçi tregon se minën me telekomandë, të prodhuar me tritol C4, që u përgatit në një garazh, e mori në dorë Emiljano Shullazi, i cili ishte bashkë me një vajzë në një makine me ngjyrë të errët.

Por Reçi tregon edhe për një episode tjetër, sipas të cilit Viktor Ymeri ishte mburrur në burg se “grupi i Emiljano Shullazit hapeshin kot me makina dhe femra të bukura dhe se nuk ishin për këtë punë, por vetëm për të vendosur gjoba, pasi personin që i vuri bombën Vajdin Lames e kishte gjetur ai nga qelia”.

Luftar Reçi ka treguar gjithashtu edhe për vrasjen e Klodian Saliut nga grupi i Lulzim Berishës.
“Kishim një marrëveshje me Lulin, Lentin (Plaurent Dervishaj) dhe Indritin. Unë shkoja çdo ditë në Durrës dhe i takoja ata. Marrëveshja ishte se unë do të ndihmoja në vrasjen e Klodian Saliut dhe ata do të vrisnin hasmin tim (në Dibër).”

Indrit Taullau dhe Viktor Imeri u arrestuan pas dëshmisë së Reçit.
Emiljano Shullazit iu caktua masa e sigurisë “arrest me burg”, teksa ndodhej në qeli.
Lulzim Berisha është në kërkim ndërkombëtar dhe besohet se është jashtë Shqipërisë.

Lulzim Berisha

SI U VRA VAJDIN LAME?

Presidenti i Federatës së Boksit Vajdin Lame dhe truproja e tij, Artan Arsi, u vranë më 27.02.2005, rreth orës 24.00 në njërën nga kullat mbrapa stadiumit “Qemal Stafa”. Sapo kanë hipur në ashensorin në katin e pestë ku gjendej apartamenti i Lames, një sasi e madhe eksplozivi ka shpërthyer duke i marrë jetën në vend Lames. Arsi ndërroi jetë rrugës për në spital. Tritoli C4 ishte i pajisur me telekomandë dhe ishte vendosur në një nga anët e ashensorit.

Vajdin Lame

VRASJA E KLODIAN SALIUT

Klodian Saliu, anëtar i bandës së Durrësit, dikur mik me Lulzim Berishën, u vra me 26 shkurt të vitit 2005.
Në vitin 2003, si pasojë e konflikteve të brendshme, organizata u nda në dy pjesë. Njëri grup drejtohej nga Lulzim Berisha dhe tjetri nga Klodian Saliu. Të dy grupet u kthyen në rivalë dhe kryen disa atentate ndaj njëri – tjetrit.
SPAK akuzon Lul Berishën dhe bandën e Durrësit se ka vrarë Klodian Saliun më datë 26.02.2005 rreth orës 22:00, teksa lëvizte me makinë në autostradën Tiranë – Durrës në drejtim të Tiranës, në afërsi të fshatit Koxhaj. Saliu u qëllua në makinën tij tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri me targë DR8907C.

Plarent Dervishaj e Klodian Saliu

DËSHMIA E BABAIT TË KLODIAN SALIUT

SPAK ka thirrur për të dëshmuar edhe babain e Klodian Saliut, i cili tha në një dëshmi prekëse se nuk kishte më të reja për të treguar për vrasjen e tre djemve të tij.

“Jam Abedin Saliu 92 vjeç. Nuk kam për të shtuar asgjë nga çfarë kam deklaruar në dëshmitë e mëparshme që kam dhënë. Më kanë vrarë 3 djem, Shkëlqimin, Arjanin e Klodianin, edhe vajza më ka vdekur. Jam sëmurë, nuk dëgjoj, me njërin sy nuk shikoj fare e me tjetrin shumë pak. Ju lutem shumë e nderuar, mos më thërrisni më, nuk kam mundësi as fizike të vij, s’kam as çfarë them, iu qëndroj atyre që kam thënë më parë, lexojini. Mos më detyroni të vij herë të tjera këtu se nuk kam mundësi”. /Zoom.al