Aplikacion
“Kemi vendosur që 3 prodhuesve të mëdhenj të energjisë, që fitojnë në mënyrë marramendëse për shkak që iu ra fati që u rrit çmimi t’iu vëmë një taksë të jashtëzakonshme. T’iu marrim një pjesë të atij fitimi dhe përsëri atë në radhë të parë do t’ia japim atyre që janë më në nevojë.”
Fitimet, thotë kryeministri, do të shkojnë për pensionistët. Jo për t’u rritur pensionin, por si shpërblim. Shpërblimi po u jepet në fushatë elektorale dhe tani është e kuptueshme se cili ishte qëllimi i taksës.
Por nëse kryeministri ka për qëllim t’i ndihmojë vazhdimisht pensionistët dhe ta shndërrojë shpërblimin në një rritje të përmuajshme të pensionit, ai mund të taksojë edhe biznese e koncesione të tjera që i kanë rritur fitimet në mënyrë të paparashikueshme.
Koncesionari i Aeroportit të Rinasit është njëri prej tyre. Të dhëna tregojnë se kompania që ka marrë koncesionin që u shty në 35 vjet, ka arritur të fitojë vetëm në vitin 2022 aq sa ishte parashikuar të fitonte për gati 3 vjet.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi në fund të vitit 2022 se në Shqipëri kishin hyrë 5.2 milionë persona nëpërmjet aeroportit “Nënë Tereza”.
Sipas marrëveshjes të miratuar në parlament nga mazhoranca socialiste në fillim të vitit 2021, koncesionari do të marrë 10 euro taksë aeroportuale për çdo biletë apo pasagjer mbi 12 vjeç që hynte apo dilte nga ky aeroport.
Për 5.2 milionë udhëtarësh që kanë hyrë në vendin tonë gjatë 2022, rezulton që koncesionari të ketë marrë 52 milionë euro. Kur kontrata u nënshkrua përllogaritjet e investimit dhe fitimit ishin bërë mbi një parashikim prej 2 milionë pasagjerësh që do të përdornin këtë aeroport.
Në këmbim të zgjatjes së afatit të koncesionit me 13 vjet, koncesionari i ri “Kastrati Group” është angazhuar të realizojë disa investime me vlerë 99.3 milionë euro– përfshirë zgjatjen e pistës së aeroportit dhe shtimin e terminaleve.
Me fitimin e marrë vetëm nga pasagjerët për vitin 2022, kompania koncesionare i realizon investimet vetëm në 2 vjet. Për 11 vjet të tjera, të gjitha taksat që merr nga pasagjerët, duke shtuar këtu edhe tarifat që u merr kompanive të transportit ajror për parkingun e avionëve apo qiratë dhe të ardhurat e tjera nga bizneset që funksionojnë në hapësirën e aeroportit apo edhe nga parking, shkojnë në xhepin e kompanisë.
Nëse lëvizjet e udhëtarëve do të jenë në të njëjtën masë, në 20 vjet kompania koncesionare përllogaritet të fitojë vetëm prej tyre rreth 1 miliardë euro.
Fitimi është i ligjshëm, por është jashtë çdo parashikimi, ashtu siç ndodhi me prodhuesit e energjisë, të cilëve iu rrit fitimi nga rritja e çmimit të energjisë në bursë.
Kështu, logjikën që përdori kryeministri për t’u marrë një pjesë të fitimeve prodhuesve të energjisë, mund ta përdorë edhe në rastin e koncesionarit të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Nëse do ta taksonte edhe koncesionarin e aeroportit me 50% të të ardhurave shtesë, milionat e marra do të mjaftonin për të rritur jo vetëm pensionet, por edhe për të ndihmuar shtresa të tjera në nevojë.
Deputetë brenda grupit socialist kanë propozuar të taksohen edhe kompanitë e mëdha naftës, si Kastrati, Eida, Alpet apo Gega Oil, por propozimet janë hedhur poshtë pa shpjegime. /Zoom.al
Mediat: Biden ka autorizuar Ukrainën të përdorë armët amerikane për të sulmuar brenda Rusisë