zoom

Bota

A do t’i pranojë Kosova afganët? Reagon qeveria

Qeveria e Kosovës thotë se po komunikon me autoritetet amerikane lidhur me kërkesën për të strehuar afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan dhe që rrezikohen nga talebanët.

Edhe pse nuk tregohet e qartë rreth vendimit, përmes një reagimi, Qeveria e Kosovës shprehet se “gjithçka do të përmbyllet mirë”.

“Që nga mesi i korrikut jemi në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet shtetërore dhe ushtarake amerikane për këtë çështje të dhimbshme e të ndjeshme. Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. ShBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneri ynë strategjik. Gjithçka do të përmbyllet mirë”, ka konfirmuar për Gazetën Express Luan Dalipi, shef i stafit të Kryeministrit Albin Kurti.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, të dielën tha se Kosova duhet t’i përgjigjet pozitivisht strehimit të afganëve nëse kërkohet nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nuk e di nëse amerikanët i kanë kërkuar edhe Kosovës të strehojë afganët që u ekspozuan si miq dhe mbështetës të ushtrive aleate; uroj që në rast se po, qeveria e Kosovës të përgjigjet pozitivisht, për nderin e saj e të Kosovës sigurisht. Por bëj me dije se në Samitin e NATO-s isha unë që e ngrita këtë shqetësim, për jetët e bashkëpunëtorëve afganë të Aleancës pas tërheqjes së saj nga Afganistani. Madje iu referova si shembull eksperiencës tragjike të kundërshtarëve të regjimit komunist në vendin tonë, që vrau, burgosi, torturoi, shkatërroi çdo armik të brendshëm pasi triumfoi mbi armiqtë e jashtëm dhe mbylli totalisht Shqipërinë, siç do të bëjnë së shpejti tanimë, talebanët me Afganistanin”, u shpreh Rama ndër të tjera.

Më herët, edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, doli pro strehimit të afganëve në vendin e tij.

“Kosova të jetë vullnetare në strehimin e disidentëve afganë dhe të jetë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç ishin ata pranë nesh, kur riatdhesuam shtetasit e Kosovës nga Siria”, shkruante Haradinaj.