Aplikacion
Analisti politik në Këshillin për Demokratizim me seli në Berlin dhe Bruksel Bodo Weber, ka thënë për “Kohën” se negociatat do t’u kthehen parimeve origjinale, me synimin që të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, raporton KOHA.
“Përfundimisht do t’i jepet fund episodit të rrezikshëm dhe shtyrjes së palëve drejt një marrëveshje për shkëmbim territoresh. Rikthimi i dialogut brenda kornizës origjinale do të bëhet duke ruajtur parimet themelore të tij – se ideja e ndryshimit të kufijve në Ballkan është e tejkaluar. Serbia duhet t’i kthehet politikës e cila bazohet në realitet duke pranuar se ka humbur prej kohësh Kosovën, në mënyrë që të bëhet një partner i vërtetë i Perëndimit”, ka thënë analisti gjerman, Bodo Weber.
Sa i përket marrëveshjes së 4 shtatorit të ndërmjetësuar nga ish-presidenti Trump, sipas analistit gjerman, çështjet ekonomike si ajo për mini Schegenin, do të zhvendosen brenda kontekstit të Bashkimit Evropian.
Kurse pika e marrëveshjes që flet për zhvendosjen e ambasadave në Jerusalem, siç ka thënë Weber, do të bjerë në momentin që Biden futet në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë fushatës zgjedhore, Biden ka thënë se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.
Në një letër drejtuar shqiptaro-amerikanëve, presidenti demokrat është zotuar se, do të punojë me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun, “me qëllimin për të lehtësuar një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe të arrihet njohja e plotë reciproke”.
Arbresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike pret që Biden të jetë më i ashpër karshi sfidimit që i bëhet shtetit të Kosovës nga Serbia e Rusia.
“Ky ndryshim ne presim natyrisht që të reflektojë në dialogun Kosovë-Serbi në të cilin Shtëpia e Bardhë do të jetë shumëfish më stabile, karshi promovimit të shtetit të pavarur të Kosovës dhe kundërshtuese e hapur ndaj praktikave të Serbisë dhe Rusisë në fushatën e tyre për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Loxha.
Në periudhën e administratës Obama, ku Biden ishte zëvendëspresident nuk ka pasur përfshirje direkte të Shteteve të Bashkuara në dialog, duke ia besuar rolin e ndërmjetësit Bashkimit Evropian.
Gjatë vizitave të mëhershme në Kosovë, kërkesë kryesore e Bidenit ka qenë forcimi i shtetit demokratik si dhe luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit.