zoom

In Zoom

“S’ka bir k*rve të më pengojë”! Si shpërtheu skandali Tahiri, sulmi dhe mbrojtja që i bëri Rama

Çështja “Tahiri” do të rrëmbente me shpejtësi vëmendjen e politikës dhe publikut nga fundi i vitit 2017. Një zyrtar i lartë në Shqipëri po akuzohej drejtpërsëdrejti për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të trafikut të drogës.

Ishte mesi i tetorit të 2017-ës, kur ish-ministri i Brendshëm u vu në qendër të akuzave, pas zbulimit të përgjimeve të grupit ndërkombëtar të trafikut të drogës “Habilaj”, ku si i përfshirë u përmend edhe ish-ministri.


Si nisën hetimet për Saimir Tahirin? 

Dritan Zagani, një specialist i antidrogës në policinë e Fierit dhe më parë punonjës i policisë kufitarë në Vlorë kishte kryer disa hetime ndaj një grupi të drejtuar nga Moisi Habilaj dhe dy vëllezërit e tij.

Gjatë hetimeve ai kishte zbuluar se Habilajt lëviznin me një makinë tip Audi me targa AA003GB, e cila ishte në pronësi të Ministrit të Brendshëm.

Por kur ai njoftoi eprorët se makina e Saimir Tahirit po përdorej nga trafikantë droge, të cilët kishin lëvizur me të drejt Greqisë dhe Italisë, ndaj tij nisi një hetim për dekonspirim të aksioneve.

Ata që e akuzuan i thanë se kishte shkëmbyer informacione me oficerët e Guardia di Finanza në shkelje të ligjit.

Kur gjuetia nisi ndaj tij, më 4 shtator të vitit 2015, Dritan Zagani zgjodhi të flasë. Ai iu rrëfye Basir Çollakut, një gazetari të vjetër në median shqiptare. Pjesa e parë e intervistës u transmetua në televizionin News 24. Por pjesa e dytë, e njoftuar për transmetim një ditë më vonë, nuk u dha kurrë.

Gazetari tha se drejtuesit e televizionit kishin marrë telefonata “nga lart” në qeveri për të mos e transmetuar. Por intervista e pa dritën e publikimit në disa portale.

Reagimi i qeverisë qe i fortë. Kryeministri Rama do ta shpallte atë kriminel përpara mijëra policëve më uniformë që e dëgjonin në Pallatin e Kongreseve duke sulmuar drejpërdrejt një nga radhët e tyre.

“Një kriminel, një nga ata të cilët policia e shtetit, policia e rilindur e shtetit, ka pasur kurajon t’i identifikojë në radhët e veta dhe t’i pastrojë nga radhët e veta, një bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës, që dekonspironte operacionet e policisë, është bërë sot hero ii opoziës, i mediave madje edhe i kreut të shtetit së fundi. Heroi! Heroi që na kërkoka përgjigje, ndërkohë që ai është në kërkim”, deklarotne Rama më 16 shtator të atij viti.

Por këto manovra të politikës së Tiranës, Zvicra i injoroi. Ajo i dha oficerit Dritan Zagani mbrojtje dhe statusin e azilantit politik.

Dy vjet më vonë, në tetor të 2017-ës, prokuroria e Katanias e arrestoi Moisi Habilajn. Përgjimet e antimafias së Katanias përfunduan në një media lokale atje dhe më pas në Shqipëri e shumë media ndërkombëtare.

Trafikantët përmendin lidhje me Ministrin e Brendshëm, tregonin se si e përdornin audin e tij A8, se si ishin të paprekshëm nga policia, sepse ishin kushërinj të Saimir Tahirit.

Në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi imunitetin e Saimir Tahirit, me një mandat për ta arrestuar.

Por Edi Rama u bë sërish mburojë e ministrit të tij të besuar. Ai e refuzoi kërkesën. Parlamenti u shndërrua në një gjykatë, shqyrtoi provat e prokurorisë dhe nuk i mori ato në konsideratë.

Saimir Tahiri i quajti të gjitha akuzat si politike. Kur ishte pyetur herën e parë kishte thënë se nuk i njihte Habilajt. Më vonë pranoi se i kishte kushërinj të largët që u kishte shitur makinën. Kur u pyet përse makina ishte sërish në emër të tij, tha se për shkak se gjykatat e Berishës e kishin dënuar për shpifje, ai kishte preferuar të mos bënte kalimin e pronësisë, pasi paratë do t’ia merrte përmbarimi.


Dritan Zagani kishte deklaruar ndërkohë se makina vetjake e Ministrit, Audi A8 me targë AA003GB, u ishtë dhënë Habilajve posaçërisht për t’u lehtësuar atyre trafikun e drogës.

Por vjen skandali i radhës! Një tjetër provë në dëm të Tahirit

Në media qarkulloi një tjetër informacion, që thellonte edhe më tej skandalin e përfshirjes së ish-ministrit në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Ministri Tahiri kishte udhëtuar të paktën dy herë në Greqi me makinë Audi AA003GB, muaj pasi ai kishte deklaruar që e kishte shitur makinën te Habilajt.

Këtë fakt të ri, Tahiri e shpjegoi me justifikimin se udhëtimet e tij në Greqi ishin private dhe duke mos dashur të përdorte makinën zyrtare për qëllime private, u kishte kërkuar Habiljave t’ia linin makinë për këto udhëtime.

Kjo deklaratë e re e tij ishte kontradiktore me çfarë kishte thënë më parë, se ai nuk kishte lidhje me Habilajt, përtej faktit që u kishte shitur atyre një makinë.

Pak ditë më vonë nga këto deklarata, më 19 tetor 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e Tahirit, duke e akuzuar atë për “trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si edhe korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. Kërkesa u rrëzua.

Çfarë nxori në dritë policia italiane?

Dokumentet e policisë italiane e përmendën ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri si gjatë përgjimeve, ashtu edhe gjatë komenteve në tre raste. Në njërin rast, (faqja 100), dy të dyshuarit, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj diskutonin me njëri-tjetrin se çfarë kishte më shumë sesa ata Saimir Tahiri. Moisiu besonte se Saimiri kishte bërë 5 milionë euro brenda një muaji, ndërsa Çelaj thoshte se këto ishin para të parëndësishme për të, pasi atij 20 milionë nuk i mjaftonin në një fushatë elektorale. Në kohën e zhvillimit të kësaj bisede, 16 dhjetor 2013, Tahiri kishte vetëm tre muaj në postin e ministrit të Brendshëm, por ai kish’ qenë deputet që nga viti 2009.

Në rastin tjetër, (f 93) Moisiu thoshte se kishte blerë dy byzylykë, një për gruan e Saimirit dhe një për nënën. Plot 2 mijë euro!

Në rastin e tretë, (f. 193-194) policia italiane shënoi se më 3 mars 2014, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj patën mbërritur në Sicili me makinën A8, nën pronësinë e Saimir Tahirit. Ata u kthyen në Shqipëri më datë 24 mars po me makinën e Tahirit. Në rastin më problematik për Tahirin, ai përmendet si përfitues i mundshëm i një shume parash nga trafiku i drogës.

Pasi u shkarkua nga detyra, mediat publikuan një hetim të prokurorisë italiane, që nuk kishte provuar dot atë çfarë thuhej në përgjimet e Habilajve.

Rama/ Pas mbrojtjes nis distancimi

Pas skandaleve të njëpasnjëshme në të cilat u përfshi ish-ministri i kabinetit të tij qeveritar, në mandatin e parë, kryeministri Edi Rama vendosi të shkarkojë Saimir Tahirin nga të gjitha funksionet e tij në PS, si kreu i socialistëve në PS dhe koordinatorin e bashkëqeverisjes me qytetarët.


E quajti atë “një dru të shtrembërt”. Saimir Tahiri do t’ia kthente më vonë përgjigjen, e cila duket se detyroi Ramën të tërhiqej nga sulmi publik që kishte nisur ndaj ministrit të tij më të besuar.

Që prej asaj kohe, Tahiri filloi të reduktojë edhe pjesëmarrjet e tij në seancat parlamentare, duke u zhdukur kështu për plot 6 muaj.

Por skandali nuk u mbyll me kaq. Më 1 nëntor 2017 policia ndalon biznesmenin nga Elbasani Orest Sotën dhe i gjen 2 patenta skafisti në emër të ish-ministrit Tahiri dhe 863 mijë euro cash.

Prokuroria pretendonte se shuma e parave ishte e pajustifikuar dhe dyshonte se kishin lidhje me hetimin ndaj Saimir Tahirin. Ndërsa Sota dhe avokati i tij deklaruan vazhdimisht se 863 mijë eurot ia kishte dhënë i ati për të bërë një pagesë për kompaninë “Kurum”.


Pas 6 muajsh heshtjeje, Saimir Tahiri do të rishfaqej sërish në skenën politike. Ai iu përgjigj dhe akuzave të opozitës, se po e mbron Edi Rama duke i dhënë edhe një mesazh vetë Edi Ramës, me një nga shprehjet e tij historike.

“As më mbron njeri dhe as dua njeri të më mbrojë. Për mua ka vlerë e vërteta dhe nuk ka vlerë askush që mund të më pengojë në rrugën time për të bërë drejtësi. Nuk besoj që do të ketë bir nëne dhe bir kurve që do më pengojë”.

Disa ditë më vonë ai pranoi se ishte takuar me kryeministrin Rama. Denoncuesi më i madh në rrjetet sociale, ish –kryeministri Sali Berisha, shkruajti se Tahiri e kishte kërcënuar Ramën. Por ish –ministri e mohoi këtë në emisionin Opinion në televizionin Klan.

“Unë nuk pres mbrojtje pa kushte nga askush, as nga familja ime, as nga kolegët e as nga kryeministri që sigurisht ka një barrë më të madhe sesa ne.  Jam takuar dje me Ramën, sot nuk jam takuar. Nuk më ka kërkuar asgjë për të cilën ja vlente ta shënoja. Kam pasur një bisedë normale për një situatë anormale. Nuk e kam kërcënuar.  Janë përrëlla, unë s’kërcënoj njeri,  jam i rritur dhe i edukuar” u shpreh ai.

Se si përfundoi takimi i tyre askush s’e di. Por gjithkush e pa se Edi Rama nuk e sulmoi më. Saimir Tahiri u akuzua për “shpërdorim detyre” dhe akuzat për trafik droge ranë.

Dosja e tij u kthye në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit. SPAK kërkoi 12 vjet burg.

Por a do të dënohet i besuari i dikurshëm i Edi Ramës? Këtë pakkush e beson!

“Jam i pafajshëm”, tha ai në seancën e fundit. /Zoom.al

 

Postime të lidhura