Aplikacion
Zoom.al foli më një ekspert IT, i cili shpjegon se si nëpërmjet këtyre të dhënave, e pakta që mund të ndodhë është marrja e adresave të Facebook e Instagram, dy rrjeteve sociale më popullore në Shqipëri e ku çdokush ruan një pjesë të privatësisë së tij.
Gent Progni, ekspert i njohur në Shqipëri në fushën e IT, tha se hacker-a e persona të ndryshëm mund të hyjnë lehtësisht në faqet e personave të tjerë.
“Kur tenton të hysh në një adresë të Facebook apo Instagram dhe jep të dhëna të pasakta, Facebook të kërkon të kërkon të dhënat e numrit të telefonit e shpeshherë edhe foto të Kartës së Identitetit – ID Card. Nëse dikush i disponon këto të dhëna, atëherë mund t’ia dërgojë atë Facebook-ut për të mundësuar ndryshimin e password-it dhe marrjen e llogarisë. Mjafton të kesh vetëm pak njohuri kompjuterike dhe kjo mund të kryhet lehtësisht”, thotë eksperti Progni për Zoom.al.
“Mund t’i shpëtojnë hacker-imit vetëm ata persona që kanë two-factor authentication”, siguron eksperti.
Gent Progni – Web Developer
Në databaze-in që rodhi në media, që sipas portalit lapsi.al që e publikoi atë i përket Partisë Socialiste, ka të dhëna për çdo qytetar, të cilat ekspertët thonë se mund të jenë marrë vetëm nga institucionet shtetërore.
Drejtues të PS janë mbrojtur nga akuzat se të dhëënat janë marrë nga institucionet, si e-Albania, me pretendimin se databaze është krijuar nga anëtarë të Partisë Socialiste, të quajtur si “patronazhistë”, të cilët mbledhin informacione për qytetarët vetëm duke pyetur për ata në lagjet apo pallatet ku banojnë.
Por ekspertët thonë se disa prej të dhënave është e pamundur që të mblidhen vetëm duke kërkuar informacion në këtë mënyrë, pasi askush nuk mund t’i japë një të panjohuri të dhëna mbi kartën e tij të identitetit e të tjera informacione personale.
Të gjithë qytetarët e kontaktuar nga Zoom.al thanë se nuk i njonin patronazhistët dhe nuk kishte ndodhur që t’i jepnin një të panjohuri numrin personal të Kartës së Identitetit, numër telefoni, vendin e punës apo të dhëna të tjera që figurojnë në databaze-in e Partisë Socialiste. ©Zoom.al