Aplikacion
Prezentë në Kuvendin kontrovers të FFK-së ishin 2/3 e delegatëve, të domosdoshëm për zgjedhjen e presidentit të ri.
Ademi hyri i vetëm në garë, duke mos patur kundërshtarë, pasi asnjë nga personat që shfaqën interes për të kandiduar nuk morën 15 propozime që ishin kriter për të marr pjesë në procesin zgjedhor.
“Ju falënderoj për besimin që ma keni dhënë. Do të mundohem të bëj punë të mirë dhe bashkërisht me ju ta çojmë futbollin kosovar përpara. Këtë përgjegjësi dhe ndihmën që ma jepni, unë e marr me shumë seriozitet edhe për ata që kanë mendime ndryshe. Besimin do t’ua kthejë të gjithëve me punën time, pasi jam njeri i futbollit dhe jam i lumtur që jam në familjen time apo mos të them në zanatin tim. Kur them në zanatin tim, them pasi jam një jetë në futboll si futbollist, kryetar klubi dhe prijës i federatës. I di hallet e futbollistit, klubit dhe punët e federatës. Di të jem punëtor dhe i mirë me organizatat. Unë jam vullnetar në futboll dhe do të vazhdoj të jem i tillë”, tha Agim Ademi pasi fitoi zgjedhjet për kreun e FFK.
Gjithashtu Ademi falënderoi UEFA-n, FIFA-n dhe të gjitha institucionet për raportet e shkëlqyera dhe përkrahje në mandatin e tij të parë.
Presidenti Ademi paraprakisht para delegatëve ka shpalosur objektivat e arritura dhe projektet e të ardhmes, të cilat synon t’i përmbushë gjatë mandatit të ri katërvjeçar.
Krahas zgjedhjes së presidentit, kuvendi shqyrtoi dhe miratoi raportin financiar dhe të auditimit për vitin 2021 dhe planin financiar për vitin 2022, si dhe autorizoi Zyrën Ligjore të FFK-së për fillimin e ndryshimit të Statutit të FFK-së konform kërkesave të UEFA-s e FIFA-s.