zoom

Politikë

Këlliçi: Prangat për inceneratorët duhet të tunden mbi Ramën, Veliajn, Ahmetajn dhe Agaçin

Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka përshëndetur hetimin e SPAK për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, ku ndër të tjera i ka kërkuar Kuvendit edhe autorizimin për të arrestuar deputetin socialist Alqi Bllako, si person i dyshuar i përfshirë.

Në një deklaratë për mediat nga seli blu, Këlliçi tha se hetimi duhet të çojë në arrestimin edhe të Kryeministrit Edi Rama, Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë Ëngjëll Agaçi, zv/Kryeministrit Arben Ahmetaj dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, persona të cilët deputeti demokrat i konsideron si “kokat” e aferës së inceneratorëve.

“Alqi Bllako dhe Lefter Koka janë vetëm pikënisja e kësaj afere. Nëse drejtësia do t’i shkojë në fund aferës, prangat duhet të tunden mbi Ëngjëll Agaçin, Arben Ahmetajn, Erion Veliajn dhe regjisorin dhe urdhëruesin e kësaj afere Edi Ramën. Ata që kanë hedhur firmën në këtë aferë janë përgjegjës, por ideatorët dhe përfituesit e vërtetë sikundër ne kemi vite që e themi, nisin me Edi Ramën, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj dhe Ëngjëll Agaçin. Me të vërtetë sot ka patuar disa urdhër-arreste, por kreu i gjithë kësaj vjedhje është inceneratori i Tiranës dhe personi më përgjegjës është Erion Veliaj, i cili i ka hapur rrugë koncesionit për të marrë 128 milionë Euro”, tha ndër të tjera deputeti i PD, Belind Këlliçi. /Zoom.al