zoom

Bota

Shefi i politikës së jashtme të BE-së: Sanksionet nuk kanë qëllim ndryshimin e regjimit në Rusi

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se sanksionet e vendosura si rezultat i luftës në Ukrainë nuk kanë të bëjnë me kërkimin e ndonjë ndryshimi të regjimit në Rusi.

“Ne nuk jemi për ndryshimin e regjimit. Sanksionet nuk janë për të provokuar një ndryshim regjimi në Rusi”, tha Borrell.

“Përkundrazi, sanksionet janë shkaktuar nga lufta. Dhe qëllimi është të dobësohet ekonomia ruse, të bëhet ekonomia ruse të ndjejë peshën e pasojave dhe të rritet, forcojë pozicionin e ukrainasve në negociatat e ardhshme. Por asgjë për ndryshimin e regjimit”, tha ai.
Borrell tha gjithashtu se sanksionet nuk do t’i japin fund luftës në Ukrainë menjëherë.

“Ne mund të bëjmë shumë gjëra, por nëse njerëzit presin që sanksionet financiare të ndalojnë luftën brenda natës, ata nuk e dinë se për çfarë po flasin. Fatkeqësisht ne nuk kemi aftësinë për ta ndalur luftën në rrugën e saj. Ajo që ne mund të bëjmë megjithatë është të dobësojmë ndjeshëm ekonominë ruse me kalimin e kohës, “tha ai.

Borrell shtoi se përgjigja e BE-së nuk ishte kundër popullit rus, por për të mbështetur normat ndërkombëtare.

“Kjo nuk është Lindja kundër Perëndimit. Ky nuk është një ribërje e Luftës së Ftohtë. Ne po mbrojmë sovranitetin e kombeve – të gjitha kombeve. Ne po mbrojmë integritetin territorial të shteteve – të gjitha shteteve. Në Lindje, në Perëndim, në Veri dhe në Jug. Nuk është përsëri beteja e dy hemisferave. Ne mbrojmë të drejtën ndërkombëtare, sovranitetin e shteteve, integritetin territorial, mosshkelja e kufijve është diçka që është e vlefshme për këdo në botë. Ne nuk jemi armiq të popullit rus, ne jemi miq të Ukrainës, ne po i mbështesim ata në luftën e tyre, por nuk jemi kundër popullit rus”, tha Borrell.

“Kjo është lufta e Putinit dhe vetëm Putini mund t’i japë fund asaj”, shtoi Borrell.

Borrell tha gjithashtu se BE-ja “nuk do t’i kërkojë [presidentit ukrainas Volodymyr] Zelensky të dorëzohet”.

“Ne nuk do t’i kërkojmë Zelenskit të largohet nga Kievi, ne nuk do t’i kërkojmë atij të ndalojë së luftuari,” shtoi ai./ Burimi CNN, përktheu Zoom.al