Aplikacion
Zjarri ka shpërthyer në centralin bërthamor Zaporizhzhia – më i madhi në Evropë.
Autoritetet ukrainase deklaruan se kanë arritur t’i shuajnë flakët në kohë.
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se sulmi i pamatur i Rusisë mund të rrezikojë drejtpërdrejt sigurinë e gjithë Evropës.
Presidenti amerikan, Joe Biden i bëri thirrje Moskës që të ndalë aktivitetet në këtë zonë, ndërsa kryeministri kanadez, Justin Trudeau u shpreh se “sulmet e tmerrshme” nga Rusia duhet të ndalen menjëherë.
Sulmet ruse në centralin bërthamor të Ukrainës, Zaporizhzhia janë “serioze dhe të pamatura”, të cilat duhet t’i marrë me seriozitet gjithë komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë zëvendëskryeministri britanik, Dominic Raab për BBC. Ai shtoi se “është shumë e vështirë të besohet se sulmi nuk është bërë me dashje” dhe se e kupton që nuk ka rrezik të menjëhershëm në këtë zonë.
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka kërkuar takim urgjent në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të “rritur presionin ndaj makinës së luftës së presidentit rus, Vladmir Putinit”.
Zaporizhzhia thuhet se kontribuon rreth një të katërtën e fuqisë së Ukrainës.
Presidenti i Ukrainës ka kërkuar “veprim të menjëhershëm” nga bota, ndaj sulmeve ruse në centralin më të madh në kontinentin tonë.
“Centrali më i madh bërthamor në Evropë është në zjarr tani”, ka thënë Volodymyr Zelensky në një video të postuar në Twitter. /Zoom.al