zoom

Bota

Terror bërthamor! Bota në panik, Johnson telefonon Zelenskyn: Të mblidhet urgjent Këshilli i OKB-së

Rusia ka sulmuar këtë mëngjes, centralin më të madh bërthamor të Evropës, në qytetin Zaporizhzhia të Ukrainës duke shkaktuar terror bërthamor.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka zhvilluar një telefonatë urgjente me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me të cilin ka folur për situatën “shumë shqetësuese” në Zaporizhzhia.

Mes të tjerash, Johnson ka kritikuar Presidentin rus, Vladimir Putin, për “veprime të pamatura”, që kërcënojnë sigurinë në të gjithë Evropën.

“Të dy liderët ranë dakord që Rusia duhet të ndërpresë menjëherë sulmin e saj ndaj termocentralit dhe të lejojë aksesin për shërbimet urgjente në termocentral”, tha zyra e kryeministrit Johnson.

Ndërkohë, pas telefonatës me Zelenskyn, kryeministri Johnson ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në orët e ardhshme të kësaj të premteje.

Raportet deklaruan se një njësi gjeneruese në termocentral ishte goditur, duke cituar ministrinë e energjisë atomike të Ukrainës. Zyrtarët ukrainas i kërkuan Rusisë të ndalojë sulmin, për të lejuar ekipet e shërbimit të urgjencës që të shuajnë flakët.

Centrali ka gjashtë reaktorë bërthamorë, duke e bërë atë më të madhin në Evropë. Ai prodhon rreth 25% të fuqisë së Ukrainës. Ministri i Jashtëm i vendit tha se një shpërthim në vend do të ishte 10 herë më i keq se Çernobili.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për terror bërthamor, duke e akuzuar se dëshiron të përsërisë katastrofën. Zelensky u kërkoi liderëve botërorë të ndalojnë Rusinë, përpara se kjo të bëhet sipas tij, një fatkeqësi bërthamore.

Në një postim në Facebook, herët të premten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për gjuajtje të qëllimshme në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, pasi një zjarr shpërtheu në objekt pas granatimeve të rënda nga forcat ruse./Zoom.al