zoom

Bota

Paralajmëron Gjermania: Europa në prag lufte

Europa mund të jetë në prag të luftës, tha sot zëvendëskancelari i Gjermanisë Robert Habeck.

“Ne mund të jemi në prag të luftës në Europë”, i tha Habeck televizionit RTL/NTV, shkruan The Guardian.

Ndërkohë, kancelari Olaf Scholz pritet të takohet javën tjetër me presidentin rus, Vladimir Putin, ku do t’i flasë atij për “pasoja të rënda” që mund t’i pësojë nëse e sulmon Ukrainën. Siç raporton Reuters duke cituar burime brenda Bundestagut, Scholz udhëton në Kiev të hënën për ta takuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe në Moskë të martën për ta takuar Putinin si pjesë e përpjekjeve diplomatike për t’i ulur tensionet.

“Kancelari do ta bëjë të qartë se çdo sulm ndaj Ukrainës do të ketë pasoja të rënda”, citohet të ketë thënë ky burim.

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e telefonoi dje presidentin rus, Vladimir Putin, duke i thënë se pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë “do të shkaktonte vuajtje të mëdha për njerëzit” dhe “do të zvogëlonte pozitën e Rusisë” në botë.

Orët e fundit, SHBA-ja po merret më intensivisht me situatën në Ukrainë për ta parandaluar nisjen e një lufte që tani duket më afër se kurrë.

Në këtë përpjekje, Pentagoni tha se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, foli në telefon me homologun e tij rus, Sergei Shoigu, për situatën e krijuar. Austin urdhëroi ripozicionimin e përkohshëm të trupave të Gardës Kombëtare jashtë Ukrainës.

Të shtunën, edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i tha homologut të tij rus, Sergei Lavrov, se rruga diplomatike për zgjidhjen e krizës mbetet e hapur, porse kjo kërkon nga Moska “ta shtensionojë situatën”.