zoom

Bota

Konflikti me Ukrainën/ Mungesa e gazit rus mund të shkaktojë katastrofë në Evropë

Gazi natyror që rrjedh nga tubacionet e Rusisë, ngroh shtëpitë dhe objektet në pjesën më të madhe të Evropës. Thënë ndryshe, Rusia është furnizuesja më e madhe e Evropës me këtë lëndë. Një e treta e gazit, që arrin në kontinent, kalon përmes Ukrainës. Tani, kur frika për pushtimin e Ukrainës nga Rusia është rritur, njësoj janë rritur edhe shqetësimet për zvogëlimin ose ndërprerjen e gazit rus në Evropë.

Shtetet e Bashkuara, por edhe vende të tjera perëndimore, e kanë kërcënuar Rusinë me sanksione shkatërruese, nëse sulmon Ukrainën. Politikëbërësit rusë kanë paralajmëruar se nëse vendi i tyre shkëputet nga sistemi ndërkombëtar i bankave, ashtu siç është paralajmëruar, atëherë gazi rus nuk do të rrjedhë.

“Nëse Rusia shkëputet nga SWIFT, atëherë ne nuk do të kemi para në qarkullim. Dhe blerësit tanë, e para së gjithash vendet evropiane, nuk do t’i marrin mallrat tona: naftën, gazin, metalet dhe përbërësit e tjerë të rëndësishëm të importeve të tyre”, ka thënë nënkryetari i Këshillit të Federatës ruse, Nikolay Zhuravlev, për agjencinë e lajmeve Tass.

Këto paralajmërime kanë bërë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të kërkojnë furnizime alternative. Në një deklaratë të përbashkët, të lëshuar në fund të muajit të kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë thënë se “SHBA-ja dhe BE-ja janë duke punuar së bashku për të siguruar furnizim të vazhdueshëm dhe të mjaftueshëm të BE-së me gaz natyror, nga burime të ndryshme anembanë globit”.

Von der Leyen ka diskutuar për blerje të gazit edhe me emirin e Katarit. Komisionarja e BE-së për Energjinë, Kadri Simson, është fokusuar në bisedime me Azerbajxhanin, ndërsa më 7 shkurt është mbledhur edhe Këshilli i Energjisë SHBA-BE, për të diskutuar alternativat. Disa analistë thonë se me gjithë përpjekjet, gazi rus do të jetë vështirë i zëvendësueshëm, së paku edhe për 10-15 vjet. Nikos Tsafos, ekspert për sigurinë energjetike në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Gazi rus është kritik për Evropën. Ai mbulon rreth 40 deri në 45 për qind të importeve të Evropës. Për disa vende është më i rëndësishëm se për të tjerat. Realiteti është se, tani për tani dhe për të ardhmen e afërt, Evropa nuk mund të funksionojë pa gazin rus”.

Cila mund të jetë alternativa?

Tsafos thotë se ndërprerjet e vogla të furnizimeve ruse do ta rëndonin, por nuk do ta prishnin sistemin. Ndërprerja e plotë, sipas tij, do të ishte diçka tjetër. “Nëse ndërpritet vetëm gazi që kalon përmes Ukrainës, kjo do të ishte një gjë e dhimbshme, por e menaxhueshme. Nëse flasim për reduktim në zero të gazit rus në Evropë, atëherë do të ishte katastrofë. Do të ishte jashtëzakonisht e vështirë për Evropën që të përshtatet për një kohë të shkurtër me një humbje kaq të madhe”, thotë Tsafos.

Jashtë Ukrainës, Rusia shfrytëzon disa tubacione direkte për ta dërguar gazin në Evropë, në mesin e tyre: tubacioni Rrjedha e Veriut që e çon gazin direkt në Gjermani. Tsafos thotë se vitin e kaluar, Rusia ka eksportuar rreth 180 miliardë metra kub gaz në Evropë, ndërsa vetëm 40 miliardë kanë kaluar përmes Ukrainës. Përveç Rusisë, një sasi të gazit për kontinentin evropian e siguron edhe Norvegjia, Algjeria e Katari.

Duke folur për Exposenë, Thierry Bros, specialist i tregut evropian të gazit në Universitetin Sciences Po në Paris, thotë se nuk beson se Rusia do ta ndërpresë plotësisht gazin në Evropë. Nëse vjen deri te mungesat, ai thotë se një opsion për ta mbajtur Evropën të furnizuar është gazi i lëngshëm natyror, i cili transportohet me cisterna oqeanike në vend të tubacioneve.

“Nuk mund të presim më shumë gaz nga Norvegjia, nuk mund të presim më shumë gaz nga Algjeria e vende të tjera. Zgjidhja e vetme është gazi i lëngshëm natyror”, thotë Bros. Gazi i lëngshëm natyror është gaz natyror që shndërrohet në lëng, me qëllim që të magazinohet dhe të transportohet më lehtë. Në rast të ndërprerjes së plotë të gazit rus, nuk ka mjaftueshëm as gaz të lëngshëm natyror. Sasia nuk mund të rritet brenda natës dhe terminalet e eksportit kushtojnë miliarda dollarë. Profesori Bros thotë se Evropa është treguar “naive” me varësinë e madhe nga Rusia.

“Duhet të shohim se çfarë tregu të gazit duam me Rusinë. Ne kemi nevojë për Rusinë për disa nga vëllimet tona. Por, duhet të shikojmë dhe të përpiqemi ta zvogëlojmë këtë varësi nga Rusia në vitet e ardhshme. Ky do të duhej të ishte rezultati i kësaj krize”, thotë Bros. Ngjashëm mendon edhe Nikos Tsafos, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. Sipas tij, Evropa duhet të mendojë në afat të gjatë dhe varësia nga Rusia zvogëlohet duke përdorur më pak gaz.

“Mbrojtja më e mirë e Evropës është reformimi dhe riorganizimi i sistemit të saj energjetik drejt një energjie me emetime më të vogla të karbonit. Nuk duhet të kemi iluzione se kjo do të jetë e lehtë ose do t’i zgjidhë të gjitha problemet. Çështja është se këto probleme me të cilat përballet Evropa, lidhen direkt me sistemin e hidrokarbureve që Evropa ka. Nëse kalohet në burime të pastra të energjisë, disa nga këto probleme do të bëhen më pak të dukshme”, thotë Tsafos.

Sipas të dhënave të fundit të agjencisë së statistikave të BE-së, Eurostat, varësia e BE-së nga gazi natyror ka qenë 83.5% në vitin 2020. Më 2019-ën ka qenë 89.5%. Çmimet e energjisë elektrike në botë janë rritur qysh vitin e kaluar dhe dy bashkëbiseduesit e mi thonë se ato do të rriten edhe më, nëse Evropa detyrohet të gjeja alternativa për furnizimin me gaz.

Gazi natyror mund të ruhet, por rezervat janë tashmë më të vogla se zakonisht, sepse Rusia thuhet se i ka zvogëluar eksportet në Evropë në fund të vitit të kaluar. Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji, Fatih Birol, ka thënë muajin e kaluar se kompania ruse e gazit, Gazprom, i ka ulur eksportet në Evropë për 25% në tremujorin e fundit të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Gazprom, në anën tjetër, ka thënë se po i respekton kontratat.

Rezervat mund të zgjasin deri në prill
Një analizë që ka bërë Instituti Bruegel në Bruksel, i cili merret me hulumtime të çështjeve ekonomike, tregon se nëse Rusia ndalon të dërgojë gaz në Bashkimin Evropian në muajin shkurt, rezervat e bllokut mund të zgjasin deri në prill. Po, a do të ishte ndërprerja e gazit për Evropën interes i Rusisë? Për Eposenë flet Tierry Bros, nga Universiteti Sciences Po:

“Gazprom fiton rreth 6 miliardë dollarë në muaj për gazin që shet në Evropë. Andaj, unë mendoj se nuk do të ishte skenar i mirë që pompat e gazit ta zvogëlonin rrjedhën e gazit. Unë mendoj se skenar i mundshëm është që Rusia vetëm ta zvogëlojë furnizimin, sepse në këtë mënyrë gazi rrjedh në Evropë dhe Rusia fiton euro ose dollarë. Dhe kështu, duke reduktuar gazin, Rusia mund të krijojë përçarje të mëtejshme midis vendeve evropiane, sepse disa do të trajtohen më mirë se të tjerat”.

Sipas Eurostat-it, importueset më të mëdha të gazit rus në Bashkimin Evropian janë Gjermania dhe Italia, ndërsa jashtë BE-së janë Turqia dhe Bjellorusia. Gazi rus rrjedh në Evropë tash e sa dekada, ka rrjedhur edhe në periudha të krizës, madje edhe gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Frika tani është nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili jo rrallë përshkruhet si i paparashikueshëm. Gazeta amerikane, New York Times, ka pasur më 3 shkurt një shkrim me titull: “Putin ka kursyer për këtë ditë”.

Sipas gazetës, Putin, “gjatë disa viteve të fundit, e ka ristrukturuar ekonominë e vendit të tij me qëllimin specifik për t’i bërë ballë presionit financiar perëndimor”. “Rusia e ka zvogëluar në mënyrë drastike përdorimin e dollarit e në këtë mënyrë edhe levën e Uashingtonit”, ka shkruar mes tjerash New York Times./ REL