Aplikacion
Sipas saj, institucionet duhet të konsultohen mi mes tyre dhe të krijojnë një qëndrim të unifikuar rreth dialogut.
Në Kosovë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, kërkoi ndërprerjen e dialogut me Serbinë pas zhvillimeve të fundit në vend. Në një intervistë për DW, Osmani vlerësoi se tani nuk është momenti i vazhdimit të dialogut me Serbinë, në kohën kur krerët e shtetit e partive politike akuzohen nga Gjykata Speciale, për krime lufte.
“Unë mendoj që për shkak të zhvillimeve aktuale tani nuk është momenti që të vazhdohet dialogu menjëherë. Dhe duhet që institucionet e Kosovës të marrin pak kohë, të ulemi, të konsultohemi mes vetes, të krijojmë një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut, sepse është e domosdoshme që kushdo që negocion në emër të Kosovës, për fatin e Kosovës, të ketë një qëndrim shumë më të unifikuar të spektrit politik se sa vetëm të koalicionit që përfaqëson”, tha Osmani.
Ajo kërkoi konsultim mes palëve në lidhje me qëndrimet e Kosovës në dialog dhe për këtë tha se do të japë kontributin e saj.
“Dhe duhet që qeveria të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme që të mos bjerë në kurthe të tilla, të cilat Serbia i ndërton duke hapur këto tema në Bruksel, kinse vetëm formalisht, por që pastaj shndërrohen në kompromise të reja për Republikën e Kosovës. Ne që e kemi përcjellë një kohë të gjatë dialogun e kemi parë se si kanë arritur deri këtu. Mirëpo gabimet nuk duhet të përsëriten.”
Ndërprerje të dialogut ka kërkuar edhe AAK-ja ditën kur u konfirmua aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Osmani komentoi edhe ngritjen e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës. Sipas saj, ky ishte rasti më i përshtatshëm, në të kundërt do të ishte ngritur një gjykatë nga OKB-ja, jashtë juridiksionit të institucioneve dhe ligjeve të Kosovës.