Aplikacion
Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë u përballën me tone të nxehta në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ndërsa Presidenti Joe Biden paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara janë gati, pavarësisht se çfarë do të ndodhë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell njofton.
Teksa drama mes Moskës dhe Uashingtonit thellohet, Presidenti Joe Biden forcoi tonet.
“Ne vazhdojmë të nxisim diplomacinë si rrugën më të mirë për të bërë përpara. Por me vazhdimin e grumbullimit të forcave ushtarake ruse rreth Ukrainës, ne jemi gati, pavarësisht asaj që pritet të ndodhë”.
Uashingtoni po mban një qëndrim të fortë ndërsa Presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të dislokojë me mijëra trupa përgjatë kufirit me Ukrainën, jo vetëm brenda territorit rus, por edhe në Bjellorusi. Shtëpia e Bardhë thotë se më shumë se 105,000 trupa ruse kanë rrethuar Ukrainën. Rusia është kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara, anëtarja më e fuqishme e aleancës së sigurisë kolektive, të bllokojë hyrjen e Kievit në aleancë.
Të hënën diplomatja më e lartë amerikane në Kombet e Bashkuara i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit ta diskutojë çështjen publikisht, pas disa muajsh diskutimesh me dyer të mbyllura, mes Uashingtonit e Moskës.
“Situata me të cilën po përballemi në Evropë është urgjente dhe e rrezikshme dhe pasojat për Ukrainën, si dhe për çdo shtet anëtar të OKB-së do të ishin shumë të mëdha si kurrë ndonjë herë. Veprimet e Rusisë godasin thelbin e kartës së OKB-së. Ashtu siç mund ta marrë me mend kushdo, ky është një kërcënim i qartë dhe i madh ndaj paqes dhe sigurisë”, tha Linda Thomas-Greenfield, ambasadore e SHBA-ve në OKB.
Por ambasadori rus tha se Moska nuk ka plane të pushtojë Ukrainën.
“Ju jeni ata që dëshironi të ketë luftë. Ju po prisni që të ndodhë, njësoj sikur po kërkoni t’i bëni fjalët tuaja realitet dhe kjo pavarësisht faktit se ne po i hedhim poshtë vazhdimisht këto akuza dhe pavarësisht faktit se gjatë gjithë kësaj periudhe, nga goja e asnjë politikani, apo personazhi publik rus, nuk ka dalë ndonjë kërcënim për një pushtim të planifikuar në Ukrainë”, tha Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia.
Mosmarrëveshjet mes dy vendeve që disponojnë armë bërthamore kanë të bëjnë më shumë sesa me dy botëkuptime të ndryshme, thotë për Zërin e Amerikës analistja Angela Stent. Një Evropë e qëndrueshme është në qendër të interesave të SHBA-ve dhe pjesë e kësaj është dhe dërgimi i më shumë se 200 milionë dollarëve ndihmë për sigurinë për Ukrainën, një vend jo anëtar i NATO-s.
“Nuk ka të bëjë me ideologjinë, por me sigurinë. Ajo që dua të them është se kjo lidhet me një sistem aleancash dhe një kontinent të qëndrueshëm evropian, që janë në interes të SHBA-ve. Ne nuk jetojmë të izoluar, ne jemi një ishull shumë i madh me dy fqinjë, apo jo? Ne jemi një kontinent. Pra, është më shumë se kaq. Nuk bëhet fjalë për ideologji. Ka të bëjë me ndikimin politik, por edhe me parimet, të cilat kanë të bëjnë me integritetin territorial dhe sovranitetin”, thotë Angela Stent e Institutit ‘Brookings’.
Ndërkohë Rusia dhe rivalja kryesore e SHBA-ve, Kina, janë afruar gjithnjë e më shumë. Pekini shprehu pakënaqësinë e tij kur Rusia pushtoi Gjeorgjinë në vitin 2008 ndërsa në Kinë po mbaheshin Lojërat Olimpike. Këto të fundit nisin sërish këtë javë në kryeqytetin kinez.
Në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar Rusinë me sanksione të ashpra, madje edhe kundër vetë Presidentit rus Putin, Moska do të ketë nevojë për mbështetje nga ekonomia e dytë më e madhe në botë, nëse pushton Ukrainën.
Analistët thonë se kjo mund të ndodhë ngadalë ndërsa vëmendja përqendrohet tek Lojërat Olimpike. Ndërkohë Uashingtoni vazhdon t’i kujtojë Moskës pasojat e një pushtimi.
“Nëse Rusia pushton Ukrainën, atëherë masat ekonomike që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera do të ndërmarrin, do t’i zbehin deri në një masë marrëdhëniet e Rusisë me Kinën, dhe kjo do ta dëmtonte ekonominë ruse në planin afatgjatë. Nuk shoh rezultate të mira në këtë rast (nëse Rusia pushton). Kjo është një nga arsyet pse mendoj se zgjidhja diplomatike mund të jetë ende në tavolinë, por Rusia do t’i japë vetës sa më shumë kohë të mundet, për të na krijuar një ndjenjë të parehatshme”, thotë Andrew Lohsen i Qendrës për Studime Strategjike e Ndërkombëtare.
Në pritje të fillimit të Lojërave Olimpike të Pekinit dhe ndërsa pozicionimet ushtarake vazhdojnë në të dy anët e kufirit të Ukrainës, po kështu po reziston edhe ngërçi diplomatik mes dy rivalëve të largët./VOA/