Aplikacion
Departamenti i Shtetit gjithashtu po u kërkon qytetarëve amerikanë në Ukrainë që të shqyrtojnë largimin nga vendi, qoftë duke përdorur udhëtimet komerciale apo mundësitë tjera private.
Departamenti i Shtetit ripublikoi paralajmërimin e nivelit të 4-të për udhëtimet në Ukrainë, në të cilin thuhet; “mos udhëtoni në Ukrainë për shkak të kërcënimeve të shtuara nga veprimet ushtarake ruse dhe COVID-19-tës”. Më parë, paralajmërimi i udhëtimit kishte qenë gjithashtu në nivelin e 4-të, për shkak të situatës me COVID-19.
Departamenti i Shtetit ripublikoi gjithashtu një paralajmërim të dielën mbrëma në lidhje me udhëtimet në Rusi; “mos udhëtoni në Rusi për shkak të tensionit të vazhdueshëm përgjatë kufirit me Ukrainën, mundësive për keqtrajtim ndaj qytetarëve amerikanë, aftësisë së kufizuar të ambasadës për të ndihmuar qytetarët amerikanë në Rusi, COVID-19-tës dhe kufizimeve të lidhura me hyrjen, terrorizmit, keqtrajtimeve nga zyrtarët e sigurisë së qeverisë ruse dhe zbatimit arbitrar të ligjit vendor”.
I pyetur për kohën e këtyre veprimeve, të dielën në mbrëmje në Uashington, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve se ato janë lëshuar në sfondin e raporteve se Rusia po planifikon një veprim të rëndësishëm ushtarak kundër Ukrainës.
Zyrtari i Departamentit të Shtetit tha se kushtet e sigurisë, veçanërisht përgjatë kufijve të Ukrainës, në Krimenë e pushtuar nga Rusia dhe në Ukrainën lindore të kontrolluar nga Rusia, janë të paparashikueshme dhe mund të përkeqësohen shumë shpejt.
Zyrtari tha se presidenti Joe Biden ka thënë se një pushtim ushtarak rus i Ukrainës mund të ndodhë në çdo kohë dhe nëse ndodhë një gjë e tillë, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev do të kishte mundësi të kufizuara për të ndihmuar amerikanët që mund të duan të largohen nga vendi.
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit, që folën me gazetarët, nuk pranuan të japin ndonjë vlerësim për numrin e amerikanëve që punojnë në ambasadën në Kiev, ose për numrin e amerikanëve që jetojnë në Ukrainë.
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thanë se këto urdhra po merren si një “masë paraprake e kujdesshme”, e cila në asnjë mënyrë nuk pengon mbështetjen amerikane për qeverinë e Ukrainës dhe se ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev, do të vazhdojë të funksionojë.
Departamenti i Shtetit u kërkoi, gjithashtu, të gjithë qytetarëve amerikanë në Ukrainë, që të plotësojnë një formular në internet, në mënyrë që Departamenti i Shtetit të mund të komunikojë më mirë me ta, duke thënë se kjo është veçanërisht e rëndësishme për qytetarët që planifikojnë të qëndrojnë në Ukrainë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi Rusinë të dielën se Uashingtoni i di “të gjitha taktikat dhe teknikat” që Moska mund të përdorë për të minuar qeverinë ukrainase, por do të vazhdojë të angazhohet në bisedime diplomatike, me shpresën për të lehtësuar tensionet në Evropën Lindore.
“Sigurisht, ka mundësi që rusët nuk janë aq sa të duhet të angazhuar në diplomaci dhe se diplomacia mund të mos ndikojë në vendimin e tyre përfundimtar, nëse do të pushtojnë apo do të ndërhyjnë në një mënyrë a një tjetër, në Ukrainë”, tha zoti Blinken, për rrjetin televiziv NBC. “Por ne kemi përgjegjësi për të vazhduar rrugën diplomatike, duke shkuar sa më larg të mundemi, sepse është mënyra më e përgjegjshme për t’i dhënë fund kësaj situate”, shtoi ai. / Voa
“Mirëmbrëma ylli i sabahut”/ Dalin bisedat mes gjyqtares Pajtime Fetahu dhe Suel Çelës