Aplikacion
Një prej tyre është Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si “Stresi” dhe gjithashtu si mbështetës i zjarrtë i ish-kryeministrit Berisha, ai ka mohuar të gjitha akuzat, duke deklaruar se nuk ka kryer asnjë vepër penale.
personat e arrestuar dhe që rezultojnë si mbështetës të ish-kryeministrit Berisha, kanë refuzuar faktet se janë përfshirë në protesta të dhunshme para selisë së PD-së më datë 8 janar.
Prokurorit Elio Mazreku i janë dashur dy ditë kohë për të përgatitur kërkesat ndaj personave të arrestuar nga të dyja kampet. Ndaj të dyshuarve të prangosur në mbarim të protestës së tetë janarit, referohen akuza që nga protesta e paligjshme, bllokimi i rrugës, dëmtimi i pronës deri tek shkelja e rregullave për lëndët plasëse dhe djegëse.
Më poshtë, do rendisim vetëm disa prej deklarimeve që personat e arrestuar kanë dhënë për prokurorinë:
Alban Zajmi i pyetur si person nën hetim ka deklaruar se ka marrë pjesë në këtë protestë si simpatizant i PD-së. Në orën 11:30 ka hyrë në oborrin e kësaj partie nga krahu i Xhamisë dhe ka qëndruar në oborr deri sa është shpërndarë turma. Sipas raport-shërbimit rreth orës 12: 50 Alban Zajmi është konstatuar duke qëlluar me gurë te selia e PD-së ndaj godinës.
Arkimed Lushaj i pyetur si person nën hetim ka deklaruar se nuk e pranon akuzën pasi ai nuk ka kryer asnjë vepër penale nga ato që policia i ka listuar. Ai ka marrë pjesë në protestë, por nuk ka kryer asnjë veprim të kundraligjshëm. Ai shprehet se nuk e kupton arsyen e arrestimit në kushtet kur nuk ka kryer asnjë vepër penale e veprim të kundraligjshëm.
Hajredin Gjuraj i pyetur si person nën hetim ka deklaruar se nuk ka lidhje me protestën por ka ardhur në Tiranë për probleme vetjake. Ai ka telefonuar vëllain e tij dhe e ka pyetur se ku ishte, ndërsa ai i është përgjigjur se ishte tek rruga e Elbasanit dhe pasi janë takuar të dy bashkë kanë marrë rrugën në drejtim të urës për tek një qendër tregtare afër selisë blu. Ai thotë se shkopinjtë i gjeti në rrugë dhe ngaqë është hallexhi i ka marrë se i duheshin për t’i përdorur në shtëpinë e tij, pasi i vetmi mjet jetese që ka është punimi i tokës dhe atë e bën me punë krahu. Ka deklaruar gjithashtu se ka tre fëmijë dhe më i madhi është 13 vjeç. Nga raport-shërbimi rezulton se nga forcat policore rreth orës 12:30 u konstatuan dy vetë duke kryer veprime të dhunshme kundër punonjësve të policisë. Ata u mbajtën nën vëzhgim dhe pas përfundimit të protestës u ndaluan. Hajredin Gjura në momentin e ndalimit kishte në duar dy shkopinj druri që i janë sekuestruar.
Denis Luku i pyetur si person nën hetim ka deklaruar se nuk e pranon akuzën sepse është anëtar i PD-së dhe aty ka qenë si anëtar i kësaj partie.
Gjon Pepaj i pyetur si person nën hetim, në praninë e mbrojtësit Suat Idrizi, ka deklaruar se kishte ardhur në Tiranë për të takuar avokatin e tij sepse ka një çështje civile që po e ndjek; duke qenë se nuk e njeh mirë Tiranën, makinën e ka parkuar tek një qendër tregtare pranë selisë së PD. Më pas, është kthyer për të marrë makinën e tij, pasi donte të mbërrinte sa më shpejt në shtëpi, sepse ka dy vajza të mitura dhe bashkëshortja i ka vdekur në një aksident. Në momentin që është afruar afër qendrës tregtare ka takuar disa vetë që i njihte; gjatë kohës që ishte me ata, përreth 5 minuta, u janë afruar punonjës policie dhe i kanë shoqëruar në komisariat.
Selman Krasniqi i pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime ka deklaruar se nuk ka kryer asnjë akt dhune. Ai është simpatizant i PD-së dhe ka shkuar pranë selisë së kësaj partie për të protestuar në mënyrë paqësore. Ai nuk ka pasur gjë të kundraligjshme me vete.
Shaban Halili ka deklaruar se është nisur nga Shijaku me pronarin e lokalit ku punon, Selman Krasniqin për të marrë pjesë në protestë. Pohon se në duar ka pasur një flamur të Partisë Demokratike dhe gjatë protestës ka ndenjur para selisë së PD-së duke valëvitur flamurin. Diku nga ora 14:00 pasi mbaroi protesta është larguar nga selia e PD-së dhe ka shkuar diku nga stadiumi./
TCH/