zoom

Aktualitet

“Mungesë vëmendjeje”! Lindita Nikolla: Dje Shqipëria humbi një fëmijë

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla shprehet se krime të rënda, si ajo e vrasjes së 8-vjeçarit në Fier ndodhin dhe për për shkak të mungesës së vëmendjes dhe reagimit të institucioneve.

Autori Klodian Çalamani nuk ishte i panjohur për policinë. Në vitin 2006, bashkë me shokun e tij, Florian Vasiu, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare.

Ata e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit me mjete prerëse.

Qytetarët e fshatit Greçal u bënë dje dëshmitarë të një tjetër krimi të rëndë. 8-vjeçari Mateo Vasiu u vra dhe u gropos nga komshiu i tij në oborrin e shtëpisë.
Nikolla, në një reagim për mediet sociale shkruan se nëse nuk do të shmangeshin disa përgjegjësi, Mateo sot do të ishte në shkollë

“Dje Shqipëria humbi një fëmijë, një engjëll të vogël tetëvjeçar. Krimi i tmerrshëm ndodhi në Fier. Pas këtij krimi qëndron një histori lëshimesh dhe një zinxhir përgjegjësish. Nëse ato do të ishin shmangur, Mateo sot do të ishte në shkollë, me shokët dhe shoqet e tij. Krimineli ka dhunuar edhe më parë dhe për një krim të rëndë ka marrë një dënim përkëdhelës. Të gjithë duhet të nxjerrim mësime nga kjo që ndodhi dhe autori i këtij krimi barbar duhet të marrë ndëshkimin maksimal. Shoqëria dhe komunitetet duhet gjithashtu të reflektojnë. Krimet ndodhin para syve edhe për shkak të mungesës së vëmendjes dhe reagimit tonë.
E kam të vështirë të gjej një fjalë ngushëlluese për prindërit dhe familjarët e Mateos. Asgjë nuk lehtëson dhimbjen e padurueshme të tyre.U prehsh në paqe, engjëll!”- shkruan Nikolla.

Postime të lidhura