Aplikacion
Gazetarëve të kronikave u desh të kalonin nga një vrasje në tjetrën, nga një incest atëror në një ngacmim seksual brenda një institucioni shkollor. Edicionet informative përcollën një atentat të bujshëm, teksa në emisione televizive u diskutua një rast flagrant i kërcënimit dhe dhunimit të një vajze. Begati gazetareske, por horror social. E gjitha, në 7 ditë!
Mëngjesin e 1 nëntorit, diku rreth orës 07:23, ish-efektivi i policisë, Xhelal Reci do të ekzekutohej me armë zjarri në qytetin e Laçit. Një vrasje e shoqëruar me dritëhijet e saj. Thuajse një vit më parë, më 14 gusht të vitit 2020, djali i tij, Besniku do të binte pre e një atentati. 2 persona që udhëtonin me motor dhe të maskuar me skafandra do të hapnin zjarr drejt makinës së tij, i cili ndodhej në të së bashku me familjen. Fatmirësisht nga atentati, asokohe nuk pati viktima.
Kamza do të shënonte nga ana tjetër një ngjarje tmerruese. Në dritë doli historia rrëqethëse e një vogëlusheje 6-vjeçare, e cila ishte keqtrajtuar fizikisht nga i ati. 27-vjeçari abuzoi madje seksualisht me të bijën, duke i shkaktuar përpos shokut emocional edhe plagë të rënda në trup, e veçanërisht në organin gjenital. Historia u shoqërua me pikëpyetje të shumta; nga roli i mamasë në këtë mes dhe deri në faktin nëse duhej ushqyer publiku ose jo me detaje të imtësishme.
Duket se ngjarja u trajtua gabimisht si një skandal i shoqërisë shqiptare, teksa mund të cilësohej si një rast i mbyllur incesti, fenomen ky po aq i vjetër sa njerëzimi. Abuzimi i minorenes nuk u shpëtoi as ngjyresave dhe debateve politike. Marrë shkas nga çfarë ndodhi, Albana Vokshi kërkoi dorëheqjen e ministres së Arsimit, Evis Kushi.
Një 19-vjeçar nga Cërriku u arrestua dhe po mbahet në burg për shkak se akuzohet për akt seksual me një 11-vjeçare nga Toshkëzi i Lushnjës. Përpos gjithë kësaj, ajo çka tërhoqi vëmendjen dhe nxehu situatën ishte deklarata e avokatës së tij mbojtëse, Eva Gjeta.
Sipas avokates, ai kishte një javë njohje në rrjetet sociale dhe kishte rënë në dashuri me të miturën, madje kishte qëllime serioze ndaj saj.
Teksa një ish-efektiv u vra, një tjetër i policisë rrugore denoncoi kërcënimin që i ishte bërë familjes së tij. Ilir Pica deklaroi se ngjarja e rëndë i ndodhi pranë banesës, në afërsi të Kthesës së Kamzës, Tiranë.
Sapo opinioni publik po përpiqej të vetëshërohej pas goditjes së marrë nga rasti i Kamzës, një histori përdhunimi shpërtheu në Gjirokastër. Një 16-vjeçare përdhunohej nga i afërmi i saj. Për katër vite rresht, Kabul Hunda abuzoi seksualisht me vajzën e nipit të tij. Një krim që nxori në pah përpos të tjerave, indiferencën shoqërore. Në media u raportua se komuniteti ishte në dijeni të marrëdhënies mes tyre, por askush nuk foli më herët.
Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, aksidentet rrugore nuk munguan dhe si për të përforcuar ndjesinë e pasigurisë, në Vlorë u tentua rrëmbimi i një 29-vjeçari. Rrëmbim që për fat të mirë shkoi keq. Policia shpalli në kërkim dy të rinj.
Ankthi do të kaplonte publikun, sapo të vihej në dijeni se një biznesmen kish’ humbur gjurmë. Prej ditësh, familjarët e Ruzhdi Hoxhës nuk dinin asgjë rreth tij. Po atë ditë, qytetarët mundën të lexonin historinë e një polici në Elbasan, që shantazhonte një qytetar. Sokol Fana i bënte presion dikujt, i cili “kishte probleme me drejtësinë italiane”, që t’i jepte oficerit 7 mijë euro, në mënyrë që ky të mos e arrestonte.
Mbrëmjen e 5 nëntorit ishte radha e qytetit të Elbasanit për të shënuar krimin e radhës. Një sherr që përfundoi me vdekjen e një të riu dhe plagosjen e vëllait të tij; një vrasje që zbuloi shumë më shumë: akuzë për përdhunimin e një 14-vjeçareje dhe mbajtjen e saj nën efektin e substancave narkotike. Të joshur për intervista ekskluzive nga ana e mediave të ndryshme, deklarata të ethshme erdhën prej familjarëve të të dyja palëve.
Gjyshja e autorit të vrasjes së Florenc Kovacit: I lumshin duart
Nëna e vëllezërve Kovaci: Do e djeg me benzinë vajzën
Tituj që refektojnë mendësinë tonë, fjalë të marra në momente dhimbjeje, me deklarata që rrëfejnë edhe më shumë qasjen tonë të dhunshme. Vetë vajza bëri me dije se familja e saj i ishte drejtuar madje edhe policisë, por një zgjidhje duket se nuk u gjet.
Kjo nuk qe e gjitha:
Një notere u kërcënua haptazi. Range Rover-i i saj shpërtheu si pa të keq në një zonë të Tiranës.
Një drejtor shkolle në Pogradec doli zbuluar, pas mesazheve ngacmuese që u dërgoi për dy javë rresht dy nxënëseve 14-vjeçare.
Biznesmeni i lartpërmendur, Ruzhdi Hoxha u gjet i pajetë pranë Malit me Gropa.
Teksa po raportonte mbi vrasjen në fjalë, gazetarja Anila Hoxha dhe operatori Endrit Aga u përballën me dhunën policore.
Figura policore u rivendos nën vëmendje pas një rasti flagrant në Durrës, ku tre të rinj nuk iu bindën urdhrit të policisë dhe në arratisje e sipër, plagosën në këmbë një efektive.
Kaq e rënduar paraqitet situata kolektive emocionale, sa dhe një emision “rozë” do të na shpinte sërish në një problematikë të errët. Një përballje live në reality show-n “Për’puthen” do të reflektonte dhunën psikologjike dhe jo vetëm ndaj gruas në vendin tonë. Denisa Skodi/ @Zoom.al