zoom

Aktualitet

Hap pas hapi/ Si u zbulua vrasësi i Behar Sofisë, e tradhëtoi një maskë anti-covid

Kamerat e sigurisë në rrugët dhe bizneset e Tiranës e kishin filmuar Ernej Shytin nga Piramida deri te liqeni Artificial ku ai hoqi veshjen prej lypsari dhe u zhduk.

Dhe po ashtu, edhe në rrugën nga Piramida deri te Ministria e Jashtme, për disa ditë me radhë, përpara vrasjes.

Lëvizte me biçikletë. Kur qëndonte në semaforin pranë qendrës tregtare ETC, aty ku banonte Behar Sofia, për ta ruajtur atë, ecte si i çalë.
Filmimet dhe fotot e marra prej kamerave e çuan policinë drejt tij.
Fillimisht u ndalua i vëllai. Ai po shkonte për në Krrabë, aty ku jeton, kur një grup special i policisë ndërhyn dhe i vë prangat.

Ai nuk po u besonte veshëve kur degjoi akuzat.
U tha policëve se as që kishte qenë në zonën pranë Piramidës dhe as e kishte dëgjuar ndonjëherë emrin “Behar Sofia”.
Kur grupi hetimor i tregoi pamjet filmike, gjithçka u qartësua.
“Kam një vëlla binjak. Jeton me nënën në rrugën Bardhyl, te Brryli”.

Klotilda Lakollari, nëna e dy binjakëve, e cila punon si banakiere në një lokal, i tregoi policisë se djali tjetër punonte si bojaxhi në Mal të Zi.

“Ka marrë një taksi te Ministria e Jashtme dhe ka ikur në Mal të Zi në punë më 26 shkurt”, -u tha ajo. Ishte një ditë pas vrasjes.
Policia kishte mbledhur ndërkohë disa materiale që vrasësi i kishte lënë te liqeni Artificial: një celular Nokia, një maskë anti-covid dhe një shishe ujë.
Në maskë u gjetën gjurmë të ADN, të cilar shërbyen për t’i krahasuar me nënën dhe vëllain binjak të vrasësit.
“Përputheshin 100%”,- tha një zyrtar i lartë i policisë për Zoom.al.

Me provat në dosje dhe adresën e saktë të marrë nga familjarët, oficerët e policisë u nisën për në Mal të Zi. E gjetën në shtëpinë ku jetonte me qira.

Ernej Shyti në fillim e mohoi vrasjen, por kur u njoh me dosjen u dorëzua.

Ai tregoi se e kishte marrë përsipër kryerjen e vrasjes kundrejt 50 mijë eurove, shumë e cila nuk i ishte dhënë ende.
E kishin porositur dy persona nga Fushë Kruja. Tregoi emrat e tyre dhe ata u arrestuan. Pranuan se e njihnin Shytin, por mohuan implikimin në krim.

Bashkëpunëtorët e 23-cjeçarit ishin, Skënder Vathi 54 vjeç, Leonar Xhixha 30 vjeç e Xhuljano Visha 28 vjeç.

Që të katërt kanë qenë në të njëjtën kohë në të njëjtin vend dhe kanë komunikuar me njëri-tjerin me celularë.
Policia tani është në kërkim të porositësve të atentatit.
Ernejt Shyti, që po bashkëpunon me drejtësinë, nuk i njeh ata. Nuk i ka takuar ndonjëherë. Ai e kishte marrë porosinë nga Skënder Vathi e Leonar Xhixha. Ata, sipas policisë, kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me porositësit, por nuk flasin. Kanë frikë për jetën e tyre ose të familjarëve. 

KUSH JANE TE ARRESTUARIT

Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë, është emër i njohur për drejtësinë.
Prokuroria e Krujës kërkoi gjykatës caktimin e masave të sigurisë arrest me burg në vitin 2016, pasi ai, në bashkëpunim me dy persona të tjerë vendosën një sasi eksplozivi që ka shpërthyer pranë një rrobaqepësi në pronësi të familjes Taga, në rrugën “Punëtori” në Fushë-Krujë, në nëntor të vitit 2016. Konflikti kishte nisur nga një krushqi e prishur.

Leonar Xhixha është i skeduar. Në vitin 2014 policia e Dibrës dhe efektivët e antiterrorit dhe krimeve të rënda e ndaluan Xhixhën, që banonte në Fushë-Krujë, bashkë me shtetasin Bujar Leza dhe  një person me inicialet. V.C. Të tre, në datën 10 nëntor 2014, rreth orës 22:00, në fshatin Gjoricë të rrethit Bulqizë, kanë tentuar të vrasin shtetasin Fatjon Alimani , me banim në fshatin Gjoricë të rrethit Bulqizë.

Xhuljano Visha, është dënuar më herët për “Vjedhje”.

Ernejt Shyti nuk është e qartë nëse vrasjen e Behar Sofisë e kishte krimin e tij të parë.
Policia dyshon se ai mund të ketë kryer edhe atentate të tjerë ose të ketë bashkëpunuar. /Zoom.al

Publikohen pamjet kur autori ndjek Behar Sofinë pak para vrasjes, hiqet si çalaman

Postime të lidhura