Aplikacion
Ministri Çuçi ka kërkuar hetime se për cilin personazh bëhet fjalë dhe në cilin pallat ka rezervuar ai. Zoom.al u interesua pranë Partisë Demokratike për të mësuar detaje mbi deklaratën e Bashës.
“Është një pallat përballë selisë sonë në ndërtim e sipër”, tha burimi, pa dhënë detaje mbi personin të cilit i referohej Basha.
Përballë selisë së PD, në anën tjetër të Lanës, në vendin e njohur si “7 Xhuxhat” po ndërton kompania Kastrati projektin “Down Town”. Ndërtesa është aktualisht më e larta në Tiranë. Edhe Basha iu referua ndërtesës më të lartë.
“Kjo babëzi nuk iu pengoi, që ndërkohë që COVID ju paska penguar të ndërtonit shtëpitë, të ngrinit kullën 50 kate në bashkëpronësi me oligarkët dhe krimin e organizuar me gjithë bos të narkotikës, bosët kokainës, siç e di ti fare mirë, siç e di dhe unë nga partnerët tanë ‘ti duhet ta dije nga policia jote, ndoshta ta thotë drejtori i ri se kush bos kokaine ka rezervuar çfarë kati, tek ndërtesa më e lartë në Shqipëri, të cilën COVID-i nuk e ndaloi”, deklaroi Basha.
Ministri Çuçi e konsideron shumë të rëndë deklaratën dhe kërkon hetime nga SPAK.
“Deklarata e bërë nga ana e z. Basha është deklaratë publike shumë e rëndë, e cila cenon besimin e publikut tek institucionet tona. Në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, si dhe në kuadër të misionit tonë të përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar, më lejoni të përcjell kërkesën për verifikimin e kësaj deklarate dhe zbardhjen e plotë të çështjes”, thuhet në kërkesën e dërguar në SPAK.
Zoom.al mëson se SPAK ka nisur verifikimet tashmë. Në kuadër të hetimit SPAK do të duhet të pyesë edhe kryesemokratin. Po ashtu, do të duhet t’i kërkojë kompanisë Kastrati të dhëna mbi shitjet që ajo ka bërë në ndërtesën shumëkatëshe buzë Lanës.
Projekti DownTown Albania u planifikua një vlerë investimi prej 75 milionë euro.