zoom

Aktualitet

Ekzekutimi i 57-vjeçarit në Fier/ A u krye atentati mafioz për hakmarrje

Një 57-vjeçar është vrarë mbrëmjen e djeshme nga persona të paidentifikuar. Viktima është Demir Backa, i cili mbeti i vrarë një natë më parë në një atentat në Fier.

Backa u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në rrethrrotullimin e ish-QTU në Fier. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:40. Viktima ishte brenda makinës së tij tip “Audi” ku një automjet tjetër u afrua dhe shkrehu breshëri automatiku drejt Backës.

57-vjeçari mbeti i plagosur rëndë dhe fillimisht u dërgua në spitalin rajonal të Fierit, por fatkeqësisht nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra. Ai ndërroi jetë disa minuta pas ngjarjes.

Vrasja mobilizoi policinë e cila ngriti pika kontrolli në të gjithë territorin ku pas ngjarjes, gjetën një automjet të djegur në afërsi të fshatit Daullas në zonën e Bypassit të Fierit.

Dyshohet se automjeti i përket autorit ose autorëve të ngjarjes, ku brenda tyre janë gjetur dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një pistoletë.

Ndërkohë mësohet se policia ka sekuestruar 16 gëzhoja kallashnikovi në vendngjarje. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se atentati mafioz është kryer për hakmarrje.

Policia është përqendruar në të shkuarën e Demir Backës dhe rezulton se disa muaj me parë ai ka prishur ekuilibrat dhe ka pasur një konflikt me një person me influence në Fier, i cili ishte subjekt i OFL.