Aplikacion
Një mision i FMN-së i kërkoi Kontrollit të Lartë të Shtetit të përfundojë dhe të publikojë raportet e auditit për menaxhimin e pandemisë dhe projektin e rindërtimit.
“Duhen masa për të rritur transparencën dhe llogaridhënien lidhur me shpenzimet e kryera me procedura emergjence. Këto masa duhet të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe përdorimi i fondeve të rindërtimit duhet të jetë subjekt i kontrollove standarde të menaxhimit të financave publike”, – deklaroi FMN.
Gjatë 2021 fondet e hapura për rindërtimin ishin 15.7 miliardë lekë, ose sa 53% e planit vjetor prej 28 miliardë lekësh, poshtë planit të periudhës prej 18 miliardë lekësh. 26%, ose 3.9 miliardë lekë, u përdorën në muajin prill në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Opozita e akuzoi qeverinë gjatë zgjedhjeve se këto para u dhanë qëllimisht në këtë periudhë për të ndikuar në orientimin e votës.
FMN bëri thirrje gjithashtu për frenim të shpenzimeve jo të domosdoshme. dhe kritikoi ashpër projektet e PPP, për të cilat ajo ka pasur në vijimësi qëndrime kundër.
“Rritja e shpejtë e stokut të Partneriteteve Publike Private (PPP) —që pritet të arrijë në 50% të PBB–së në 2021, nga 33% në vitin 2018—kërkon dyfishimin e përpjekjeve për të forcuar menaxhimin e investimeve publike (MIP). Investimet publike të financuara me burime të brendshme (që nuk lidhen me tërmetin) janë rritur me shpejtësi që nga viti 2020. Sfidat kryesore përfshijnë mungesën e transparencës mbi tejkalimin e kostove dhe afateve fillestare dhe mosrespektimin e proceseve të miratuara të përzgjedhjes dhe miratimit të projekteve, përfshirë këtu kur PPP–të përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme. Është e rëndësishme të forcohet kapaciteti e MFE–së për të vepruar në mënyrë pro–aktive, si një barrierë në përzgjedhjen e projekteve dhe të angazhohet në mënyrë aktive në proceset e vlerësimit dhe monitorimit. Duhet të bashkerëndohen proceset për projektet e financuara nga buxheti dhe PPP–të”, -deklaroi FMN.
E shqetësuar nga këto deklarata, qeveria reagoi sot përmes Ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, e cila tha se kritikat e FMN nuk ishin aq shqetësuese.
“Deklarata e FMN duhet të lexohet me vëmendje. Ndamë një mendim të përbashkët me FMN që ekonomia ka ardhur në përmirësim, ka treguar stabilitet në përballimin e dy krizave, tërmetit dhe pandemisë dhe i ka të gjitha potencialet për të përballuar krizën energjitike nëse do të përmbahet në përmasat që parashikohet në tregjet ndërkombëtare”, -tha ajo.
FMN sugjeroi që shpenzimet e buxhetit të fokusohen te grupet në nevojë. /Zoom.al