zoom

Aktualitet

Skandali! “Më thanë se do fitoja para”, të miturën duan ta trafikojnë për prostitucion, shteti nuk bën asgjë

Denoncon në polici se duan t’i trafikojnë vajzën për prostitucion, të nesërmen vajza e mitur dhunohet rrugës, kur po kthehej nga shkolla. Ngjarja ka ndodhur në Fier dhe për shkak të mosveprimit të policisë nëna e të miturës i është drejtuar emisionit Fiks Fare.

Manjola Cania tregon se vajzën e saj të mitur kanë dashur ta trafikojnë njerëz të panjohur. Në momentin që vetë vajza ja ka treguar diçka të tillë nënës, zj. Manjola i është drejtuar policisë për të denoncuar. Por vetëm një ditë pas denoncimit në polici vajza e saj e mitur është dhunuar në rrugicat e lagjes, ditën me diell kur po kthehej nga shkolla.

Nëna tregon se të dyja jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe se të vetme të ardhura i sigurojnë nga mbledhja e kanaçeve bashkë me të bijën. Ajo tregon edhe ngjarjen se si u njoh vajza me këta persona. Nga gjendja e mjerueshme ajo u pohon gazetarëve të Fiksit se fillimisht vajzës së saj të mitur i është afruar një vajzë e re, ku i ka kërkuar që t’i pastrojë shtëpinë kundrejt pagesës. Pasi kanë shkëmbyer numrat e telefonit vajzat kanë filluar të komunikojnë me njëra tjetrën. Më pas 15 vjeçares i është kërkuar që të kryej marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës. E vënë në dijeni nga vajza zj Manjola i është drejtuar për shtatë ditë rresht Policisë Fier për të denoncuar këtë ngjarje, por asnjëherë nuk është pritur nga blutë e Fierit. Sipas saj në komisariat i nxirrnin justifikime të ndryshme , njëherë nuk ishte psikologia e njëherë nuk ishte shefi.

Gazetarët e Fiksit pyesin edhe 15 vjeçaren e cila tregon të njëjtat gjëra . Me kërkesë të nënës së saj e mitura pajiset me kamer të fshehtë dhe jep dëshminë pas shtatë ditësh që nuk pritej në komisariat, në prani të shefit dhe OPGJ-së Daniel Noka.E mitura rrëfen sesi i është kërkuar të marrë para në këmbim të seksit si fillim në Shqipëri dhe më vonë të udhëtonte drejt Gjermanisë. Ndërkohë në sms-të e zbardhura mes të miturës dhe vajzës tjetër, duket qartë biseda ku i kërkohet të shesë trupin për para. Punën e të miturës do ja menaxhonin nëpërmjet një faqe në facebook. E mitura do shfaqej me trup të zhveshur dhe do t’i vendosej edhe çmimi. Ndërkohë 1 muaj pas këtij denoncimi nëna e të miturës thotë se shteti nuk ka bërë asgjë. “Vajzës i vijnë kërcënime nga personat që denoncuam” shprehet ajo. Interesohet në komisariat se çfarë po bëhet me çështjen e saj dhe merr të njëjtën përgjigje sa herë. Shefi është me pushime gjithashtu edhe prokuroria është me pushime. Nëna telefonon edhe inspektorin e zonës Jozef Kongjonin, por edhe ky ia pret shkurt duke i thënë të marrë 129!