zoom

Bota

SHBA pranon gabimin/ Vramë civilë e fëmijë në Kabul

Kreu i komandës qendrore amerikane, gjenerali Frank McKenzie e pranoi se sulmi me dron i 29 gushtit pranë aeroportit të Kabulit ishte një gabim.

10 vetë humbën jetën në atë goditje, ku SHBA-ja mendonte se ishte duke shënjestruar një terrorist por vrau vetëm një punonjës humanitar e disa persona të tjerë në zonë. “Jam tani i bindur se 10 civilë, përfshirë 7 fëmijë u vranë tragjikisht në atë sulm. Për më tepër, nga vlerësimet e tanishme rezulton se ka pak gjasa që në makinë apo personat që vdiqën të kishin lidhje me ISIS-Kohrasan apo të përbënin një kërcënim direkt për forcat amerikane”, u shpreh ai.

McKenzie shtoi se i ofron ngushëllimet më të thella familjarëve e miqve të viktimave. Gjenerali kërkoi falje teksa shtoi se ai sulm ishte kryer me bindjen se do të parandalonte një kërcënim ndaj forcave amerikane dhe të evakuarve në aeroport, por ishte një gabim. Zyrtarët amerikane ishin përpjekur të tregonin se pati një shpërthim të dytë cka tregonte sipas tyre se Toyota Corolla e Bardhë përmbante eksplozive. Por McKenzie sqaroi se ai shpërthim ishte shkaktuar nga një bombolë e madhe gazi pranë të cilit ndodhej makina kur u godit.

Zemerai Ahmadi, shënjestra kryesore e sulmit kishte punuar 15 vjet për një organizatë jofitimprurëse me seli në Kaliforni. Ai dhe një burrë tjetër ishin parë duke ngarkuar dicka në makinë, që zyrtarët amerikanë besuan se ishin eksplozive dhe se dyshja po planifikonte një sulm me autobombë. Por së fundi u mësua se Ahmadi në fakt, po e mbushte makinën e tij me shishe me ujë për t`ua shpërndarë njerëzve në nevojë.