zoom

Politikë

Përjashtimi i Berishës, Grupi për PD-në kundër Bashës: Ka bërë pakt me Ramën për përfitime personale

Pas FRPD-së, edhe Grupi për PD-në ka dalë hapur në mbështetje të ish-kryetarit të PD-së Sali Berisha, i cili tashmë ka njoftuar se do të zhvillojë një referendum në PD për të rrëzuar vendimin e përjashtimit të tij nga Lulzim Basha.

Grupi në fjalë thotë se vendimi i kryetarit në detyrë të Partisë Demokratike është antistatutor dhe në vazhdën e të gjitha vendimeve antistatutore e antidemokratike të ndërmarra që prej vitit 2017.

Sipas tyre Basha duhet të japë dorëheqjen nga pozitat e Kryetarit në detyrë, në mënyrë që kjo parti të reformohet me një projekt të ri të bazuar në idealet e themelimit të saj. Basha thuhet në njoftim është përgjegjës për humbjen ne zgjedhje dhe ka bërë pakt me Ramën për përfitimi personale.

“Grupi për PD ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e ditëve të fundit në Partinë Demokratike. Vendimi i fundit i Kryetarit në detyrë të Partisë Demokratike është antistatutor dhe në vazhdën e të gjitha vendimeve antistatutore e antidemokratike të ndërmarra që prej vitit 2017.

Lulzim Basha është përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit 2021 nëpërmjet pazareve dhe marrëveshjeve fitimprurëse me Edi Ramën, për përfitim personal. “Masakra zgjedhore” ishte alibia e rradhës për të mbuluar këto pazare.
Për këto arsye dhe shumë të tjera, Partia Demokratike duhet të ringrihet dhe reformohet si një parti e djathtë bashkëkohore, me një projekt të ri të bazuar në idealet e themelimit të saj.

PD-ja e marrë peng duhet ti kthehet demokratëve dhe anëtarësia e saj e gjerë dhe e pandikuar, e pakushtëzuar, duhet të vendosë mbi të ardhmen e saj.

Dorëheqja ose largimi i Lulzim Bashës nga pozitat e Kryetarit në detyrë duhet të jetë akti i parë dhe i menjëhershëm drejt këtij reformimi.

Krijimi i një Këshilli Drejtues të përkohshëm, kthimi i votës dhe i mendimit të lirë në parti, si dhe ringritja e të gjitha forumeve të PDSH-së nëpërmjet zgjedhjeve të lira, janë të domosdoshme për ringritjen e Partisë dhe kthimin e besimit. Reformimi i PD-së do të vijë nga bashkimi i të gjithë kontributeve dhe vlerave ndër vite, konkurenca e lirë dhe meritokracia në Parti. Ne vlerësojmë se Shqipëria ka më tepër se kurrë nevojë për një opozitë të fortë, të pakapur dhe të pandikuar dhe kjo bëhet vetëm me hapjen e Partisë dhe kthimin e institucionit të votës së lirë”, thuhet në deklaratë.

Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha ka nisur tashmë lëvizjet e tij për të bërë referendum në PD, që të rrëzojë vendimin e Bashës për përjashtimin e tij. Berisha do të zbresë në terren dhe do të nisë takimet me anëtarët e PD-së në Tiranë, ku do të mbledhë firmat për të kërkuar referendum në lidhje me vendimin individual të Lulzim Bashës dhe më pas do të shkojë në Shkodër.