Aplikacion
Profili gjinor i sipërmarrësve të listave
Por, të treja partitë ndahen edhe më shumë nga njëra tjetra sa i përket përfaqësimit të sipërmarrësve në lista, sipas gjinisë. Edhe këtu, në vend të parë kemi “Lëvizjen Socialiste për Integrim”, me 33% të sipërmarrësve të listave, të cilat janë në fakt sipërmarrëse. Në vend të dytë kemi Partinë Socialiste, me 20% të sipërmarrësve të listave, të cilat janë femra, dhe vetëm në fund kemi Partinë Demokratike, me një përfaqësim të sipërmarrëseve femra në lista, prej vetëm 15%. Edhe sa i përket moshës së sipërmarrësit më të ri, Lëvizja Socialiste për Integrim kurorëzohet në vend të parë, me një 21 vjeçare. Partia Socialiste garon me një 28 vjeçar, ndërsa ajo demokratike me një 25 vjeçare. LSI mban rekordin edhe sa i përket biznesmenëve me më shumë biznese në lista. Madje, ka prej tyre që kandidojnë nën siglën e LSI, të cilët kanë deri në 4 biznesve të regjistruara në emër të tyre.
Në cilët sektorë janë fokusuar?
Po cilët janë sektorët ku janë të përqëndruar më shumë bizneset e kandidatëve për deputet nga tre partitë kryesore në vend? Në vend të parë kemi tregtinë, ku përfshihet edhe tregtia me shumicë, import-eksport, por edhe tregtia me pakicë. Ky lloj aktiviteti zë thuajse ¼ e totalit. Më pas ndjekin aktivitetet në fushën e ndërtimit. Janë rreth 16% e sipërmarrësve që janë edhe kandidatë për deputetë, mes tre prej partive kryesore, të cilët operojnë drejtpërdrejtë në fushën e ndërtimit. Në vend të tretë ndjek konsulenca juridike. Rreth 10% e sipërmarrësve nga listat e tre subjekteve kryesore janë pikërisht avokat. Më pas ndjek akomodimi ushqimor/hoteleria, si dhe prodhim/përpunim. Mes “bizneseve” ne listen e kandidatëve kemi arritur të gjejmë shumëçka, që nga kurset e gjuhës së huaj, deri te peshkimi, bulmetoret, etj.
Në Vlorë, 35% e kandidatëve janë “biznesmenë”, rekord kombëtar
Po sipas qarqeve, cili ndër të 12-të është në krye të listës me më shumë sipërmarrës kandidatë? Nga analiza jonë e detajuar, rezulton se në vend të parë, me diferencë mjaft të ndjeshme me ndjekëset është qarku i Vlorës. Në këtë qark, 35% e kandidatëve, pra më shumë se 1 në 3 është sipërmarrës. Përqindja e madhe e LSI-së dhe PD-së, me gati 40% të kandidatëve biznesmenë, ka ndikuar në këtë normë kaq të lartë. Në vend të fundit, me vetëm 12% të kandidatëve, sipërmarrës, kemi qarkun e Korçës, të ndjekur nga Dibra, me 14%. Në Tiranë raporti biznesmenë/kandidatë, fiksohet pranë 22%. Sa i përket partive, rekordin e peshës së biznesmenëve mbi totalin e listës në atë qark e mban sërish Lëvizja Socialiste për Integrim, ku në qarkun e Lezhës ka 44.4% të kandidatëve, biznesmenë.
“Scan Intelligence Unit” disponon të plotë listën e sipërmarrësve nëpër lista, me emër e mbiemër, sipas partisë, numrit të bizneseve që disponon, llojit të aktivitetit, dhe emrit të subjektit. Analiza jonë është ndalur vetëm te fenomeni dhe shifrat në tërësi. Analiza mbi emra të përveçëm, në gjykimin tonë, vetëm sa largon vëmendjen nga faktet dhe shifrat. Nga ana tjetër, jemi mjaftuar me 3 partitë kryesore jo vetem për shkak të peshës së tyre të pritshme në parlamentin e ardhshëm, por edhe për shkak se një analizë e tillë mbi të gjitha subjektet në garë do ta bënte më kompleks kuadrin e përgjithshëm. Nga ana tjetër, nga vrojtimi ynë rezulton se edhe për partitë e tjera, përqindjet mbeten në shifra të përafërta, çka do të kishte shumë pak ndikim në mesataren kombëtare. /Scan
KLSH: Qeveria e paaftë në menaxhimin e borxhit, 2.8 mln euro humbje vetëm nga kursi i këmbimit