zoom

Politikë

U kënaqët që Basha “vrau” babanë? Përgjigjet Rama

Kryeministri Edi Rama ka injoruar zhvillimin e bujshëm në selinë blu, të përjashtimit të Sali Berishës nga grupi i PD.

“Sa më shumë energji të shpenzuara për njerëzit, për problemet që kanë. Sa më pak energji për atë që politika ka bërë në shumë vite duke u bërë një pronë e politikanëve, të cilët e kanë abuzuar vijimësisht”, tha Rama.

Pas insistimit të gazetarëve nëse ishte i kënaqur që Lulzim Basha “vrau” babanë e tij politik, Rama tha se e shkuara nuk është problemi i tij dhe as i PS-së.

“Trishtimet dhe gëzimet janë evenimente shumë të rëndësishme në tërësinë e njeriut për t’i shpërdorur për natyrën politike, aq më tepër që i përkasin një force tjetër politike. E shkuara nuk është problemi im, aq më tepër i PS-së”, tha Rama.

Kryeministri nuk përjashtoi mundësinë e “bashkëqeverisjes me PD”, pavarësisht se më herët Basha tha se “Shqipëria ka vetëm një armik, Edi Ramën dhe regjimin e tij, të dalë nga zgjedhjet që PD nuk i njeh”.

A jeni i kënaqur që Basha vrau “babanë” politik?

Rama: PS ka marrë një mandate të tretë për të çuar Shqipërinë në një nivel tjetër.

A do bashkëqeverisni me Bashën?

Rama: Dora është e shtrirë për të bashkëpunuar pavarësisht zhvillimeve në PD.

A keni pazar me Bashën?

Rama: Jam shumë i përgatitur që të jem në lartësinë e fjalëve, duke dhënë shembullin i pari dhe duke u përmirësuar çdo ditë në raport me ju. Ju jap fjalën që do bëj çmos që marrëdhëniet me ju (gazetarët) të jenë fantastike.

Të njëjtën gjë bëtë dhe ju me Fatos Nanon?

Rama: E kuptoni sesa e madhe është sfida jonë, hallet problemet, por edhe shpresat tek PS. PS e ka të pamundur të shohë nga lart poshtë, sepse humb prespektivën. Jemi shumë përpara, nuk do kthejmë kokën pas. Kushdo që të bashkohet me ne është i mirëseardhur.