zoom

Bota

Autoritetet ruse bllokojnë faqen në rrjet të opozitarit Navalny përpara zgjedhjeve

Autoritetet ruse bllokuan të hënën një faqe elektronike të kritikut të burgosur të Kremlinit Aleksei Navalny që udhëzonte përkrahësit se si të skualifikonin kandidatët nga partia në pushtet në zgjedhjet parlamentare më vonë këtë muaj.

Në një deklaratë për AFP- në, vëzhguesi shtetëror i komunikacioneve Roskomnadzor tha se qasja në faqen elektronike votesmart.appspot.com ishte bllokuar në Rusi “sepse po përdoret për të vazhduar punën… e një organizate ekstremiste.”

Zgjedhjet parlamentare janë planifikuar të zhvillohen më 17-19 shtator, me pothuajse të gjithë kritikët e zëshëm të Kremlinit, përfshirë aleatët e Navalny-t që janë të ndaluar të kandidojnë.

Këtë vit, organizatat e Navalny-t, 45 vjeç u shpallën “ekstremiste” dhe të ndaluara, ndërsa ndihmësit e tij kryesorë janë larguar nga vendi.

Pasi i mbijetoi një helmimi me agjentin nervor Noviçok verën e kaluar, Navalny u burgos në shkurt në atë që mbështetësit e tij thonë se ishte ndëshkim ndaj sfidës së tij për mbajtjen në pushtet të presidentit Vladimir Putin prej dy dekadash.

Rregullatori i mediave, Roskomnadzor më parë ndaloi aksesin në dhjetra faqe elektronike të lidhura me Navalny-n, duke përfshirë faqen e tij kryesore navalny.com.

Javën e kaluar rregullatori i mediave gjithashtu i kërkoi kompanive Google dhe Apple që të heqin një aplikacion të dedikuar për fushatën e Navalny-t “Votimi i zgjuar” nga bankat e tyre të aplikacioneve, por kompanitë ende nuk kanë reaguar.

Taktika e “Votimit të Zgjuar” ka bërë që partia gjithnjë e më jopopullore Rusia e Bashkuar, që aktualisht ka më pak se 30 për qind të votave, të humbasë një numër vendesh në zgjedhjet e fundit të pushtetit vendor.