zoom

In Zoom

Si po e çmonton Edi Rama figurën e Taulant Ballës

Ditën e sotme, në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Edi Rama zyrtarizoi kabinetin e ri qeverisës dhe të sekretarëve të PS.

Ajo që ra në sy teksa vijonte fjalimin dhe bërjen publike të emrave të rinj të besuar, ishte fakti se kryeministri e bëri akoma më të kuptueshme se për Taulant Ballën gjërat nuk janë më njësoj, përkundrazi. Dikur, pozicionimi i tij i favorshëm në parti tanimë nuk ekziston, aq sa të gjithës kësaj nuk gabon nëse i referohesh si një zbythje.

Emri i Taulant Ballës lidhet ngushtësisht me atë të qytetit të Elbasanit dhe nxjerrja e tij sot zyrtarisht prej zonës së sigurt, habitatit shumëvjeçar, ku ai doli më i votuari në shkallë republike, tregon shumë. Një lëvizje strategjike për ta lënë përfundimisht në hije. Kështu Rama njoftoi se Balla, i cili në zgjedhjet e fundit ishte drejtues politik i PS-së në Elbasan do të kalojë në Fier dhe vendin e tij do ta zërë Damian Gjiknuri.

Pavarësisht përpjekjes së kryeministrit për të mos lënë hije dyshimi, duke lavdëruar sot kontributin e Ballës, si për të thënë në fakt krejt të kundërtën, një tjetër lëvizje i vuri kapakun tezës së shkatërrimit të tij.

Rama e shfuqizoi edhe nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, i cili do të mbahet nga sërish Damian Gjiknuri.

Zoom.al mësoi se në rrethet e ngushta shoqërore, Taulant Balla ishte shprehur se shpresonte që Rama do ta promovonte pas 16 vjetësh besnikëri; 8 në opozitën vështirë të PS pas ikje së Nanos dhe 8 në dy mandatet qeverisës, ku ai e ka parë veten “të përdorur” në shumë çështje delikate. Duke qenë në ballë të tyre, kishte pritur një “shpërblim” nga kryetari, kishte besuar se Rama do t’i ishte mirënjohës.

Ëndërronte vendin e Gramoz Ruçit! Si i dyti i PS-së si Sekretar i Përgjithshëm – kishte shpresuar shumë se Rama do t’i jepte karrigen e lënë bosh nga Ruçi në krye të Parlamentit.

Një ëndërr e mbetur në sirtar dhe e rrëmbyer sot nga Lindita Nikolla. /Zoom.al