zoom

In Zoom

SHKËLQIMI DHE RËNIA E TAULANT BALLËS/ Si po ia dobëson Rama pushtetin numrit 2 në PS

Taulant Balla u befasua kur Edi Rama përmendi vetëm emrin e tij dhe të Elisa Spiropalit në fjalën që mbajti në darkën me deputetët e vjetër e të rinj.

Ai dhe Spiropali u konfirmuan në detyrat që kanë, ai si kryetar grupi dhe ajo si Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, teksa emrat e rinj të ministrave dhe të atyre që do të mbajnë funksione në parlament e parti do të bëhen të ditur të enjten në Asamblenë e PS.

Dukej si promovim. Por në të vërtetë ajo ishte një pikë kthese për karrierën e Ballës në PS.

Zoom.al mëson se në rrethet e ngushta shoqërore Taulan Balla ishte shprehur se shpresonte që Rama do ta promovonte pas 16 vjetësh besnikëri; 8 në opozitën vështirë të PS pas ikje së Nanos dhe 8 në dy mandatet qeverisës, ku ai e ka parë veten “të përdorur” në shumë çështje delikate. Duke qenë në ballë të tyre, kishte pritur një “shpërblim” nga kryetari, kishte besuar se Rama do t’i ishte mirënjohës.

Ëndërronte vendin e Gramoz Ruçit! Si i dyti i PS-së -si Sekretar i Përgjithshëm – kishte shpresuar shumë se Rama do t’i jepte karrigen e lënë bosh nga Ruçi në krye të Parlamentit.

Por ëndrra si kryetar iu shua shpejt.

Bashkë me të iu fik edhe ëndrra rezervë për ta parë sërish veten si të besuarin e kryetarit.

Kishte besuar se të paktën do të kishte marrë një ministri. Mes miqsh fliste për ministri të rëndësishme. Ai ishte përfolur edhe disa vite më parë si Ministër i Brendshëm. Por shefi i tij nuk e kënaqi as me ndonjë portofol periferik.

Pyetja se përse Rama nuk e promovoi duket stërmunduese prej të premtes për Ballën kur ai mori lajmin njësoj si të gjithë shqiptarët e tjerë që ndoqën fjalën e Ramës në darkën luksoze me prodhime të egra deti.

“Detyra si kryetar i Grupit Parlamentar të PS i ka dhënë shumë benefite mandatin e shkuar, pasi ai ka pasur në dorë emërime të rëndësishme e po ashtku ka ndikuar në mjaft projekte kyçe, por edhe e ka konsumuar”, pohoi për Zoom.al një nga deputetët e vjetër socialistë.

“Katër vjet të tjera në të njëjtin post do të jenë jo vetëm rutinë, por edhe duket se do t’ia zbehin çehren e të pushtetshmit, pasi Rama tregoi se nuk ka dëshirë të punojë me të dhe t’i besojë poste më të rëndësishme se kaq”, tha i njëjti burim.

Në të vërtetë lënia në vend numëro është tregues se Rama nuk e ka në planet e tij. Ky fakt mund ta dobësojë pushtetin e Ballës brenda PS, teksa në parti flitet gjithnjë e më shumë për pasuesin e Ramës.

Erion Veliaj qëndron si gjithnjë në krye të listës. Me të, Taulant Balla nuk ka pasur asnjëherë raporte të mira. E teksa figura e Veliajt po ngjitet gjithnjë e më pranë karriges së pushtetshme të liderit të ri të PS, ajo e Ballës po zbret proporcionalisht poshtë.

Tani, Ballës do t’i duhet të shijojë benefitet që i ka dhënë posti si kryetar grupi në këto vite e po ashtu edhe ato që mund të marrë në vijim, edhe pse është e pritshme që ai të mos ketë te ministrat e rinj të njëjtin ndikim që pati te disa nga të vjetrit.  

Ky post, në këtë mandat të tretë, atij po i peshon si një kapak i rëndë që i është vënë përfundimisht përsipër karrierës së tij në PS. Me riemërimin si kryetar grupi Rama i dha mesazhin se ai nuk mund të shkojë më shumë se kaq, të paktën sa Rama të jetë në pushtet! /Zoom.al