zoom

Aktualitet

“Do ndihmojë prindërit e moshuar”/ Si u kap shqiptari në Angli në fermën e kanabisit me vlerë 1 milion paund

Një fermë e madhe kanabisi me kapacitet për të prodhuar mbi 1 milion paund drogë është zbuluar nga autoritetet britanike. Ambienti ishte përshtatur në një ndërtesë të vjetër shkolle, ndërsa në pranga u vu një shtetas shqiptar, i identifikuar si Jetnor Cuka.

Ai u la në arrest me burg, me kusht, pasi i tha trupit gjykues se ishte mashtruar nga trafikantët të cilët i kishin premtuar se do të punësohej në ndërtim.

Avokati i tij Michael Blakey tha se Cuka kishte dashur që të bënte një jetesë të ndershme, duke punuar dhe të ardhurt t’ia dërgontë prindërve të moshuar në Shqipëri.

Sipas mediave britanike, në godinën e vjetër ku u gjet kanabisi, kati i parë ishte shndërruar për banim me tre shtretër dhe një zonë për gatim.

Policia gjeti gjithsej 1310 bimë kanabis, ndërsa Cuka u shpreh se kishte jetuar në atë godinë për dy muaj dhe nuk kishte marrë asnjë pagesë.

Avokati theksoi se klienti i tij ishte transferuar nga Shqipëria në Greqi për të punuar që të ndihmonte prindërit e tij dhe më pas kishte shkuar në Mbretërinë e Bashkuar dhjetorin e kaluar. Anëtarët e një bande i thanë se u kishte borxh 22 mijë paund për udhëtimin e tij dhe duhet të punonte në fabrikën e kanabisit për të shlyer borxhin.