zoom

Politikë

“Ka shumë tym e zjarr të ndezur”/ Rama reagon sërish për “Ballkanin e Hapur”, mesazhi për Albin Kurtin

Ndërsa foli për arritjet e këtyre dy mandateve në të gjitha fushat, si në kulturë, mbrojtje, apo politikën e jashtme, kryeministri Edi Rama nuk la pa përmendur edhe nismën për “Ballkanin e Hapur”.

Gjatë takimit përmbylles që pati me ministrat e tij, Rama tha se nuk e shqetësojnë aspak polemikat dhe akuzat.

“Kjo qeveri e mbyll mandatin me realizimin e të gjitha kushteve dhe stërkushteve për integrimin dhe me hapjen e një kapitulli të ri, si nismëtare e “Ballkanit të Hapur”. Polemika për Ballkanin e Hapur dhe akuzat e hatashme ndaj qeverisë dhe ndaj meje, nuk më shqetësojnë fare dhe nuk duhet të na shqetësojnë aspak në mandatin e tretë. Ka shumë tym e zjarr të ndezur, por qeveria e re do të vazhdojë përpara edhe në këtë drejtim, pa humbur asnjë ditë të vetme. Kam besim se me qeverinë e Kosovës do bëjmë plot punë të mira, Pavarësisht mos dakortësisë së kolegëve në Kosovë me “Ballkanin e Hapur”, deklaroi Rama.

Pjesë nga fjala e Ramës

“Edhe për kulturën kemi bërë, por shumë e shumë do bëjmë me projekte që janë rrugës, si realizimi i Teatrit Kombëtar, apo të tjerë. Më shumë mund të kishim bërë me formalizimin e ekonomisë, por kemi bërë një punë të vyer me ndërtimin e sistemet të ri digjital të fiskalizimit, prej të cilit presim një hop të madh cilësor e sasior në administrimin e të ardhurave. Ulja e taksave, rritja e pagave për mësuesit dhe mjekët, pavarësisht pandemisë, nuk janë pak për një shtet akoma në kantier në aspektin e konsolidimit të strukturave të tij. Jemi vendi me papunësinë më të ulët në rajon.

Katër portet e reja turistike, ai i Sarandës, ku ka nisur puna, ai i Vlorës, ku puna nis në muajt apo javët e ardhshme, si dhe ai më i madhi në Durrës, janë një nga blloqet e mëdha të investimeve konkrete të huaja, që do të na mundësojnë rritje ekonomike. Rritja e ekonomisë nuk do të mjaftojë për të arritur majën, ku kjo qeveri do ta ngjisë Shqipërinë në fund të kësaj dekade. Kjo qeveri ka bërë jo pak punë. Do ta çojmë në një nivel tjetër marrëdhënien qytetar-shtet, si dhe goditjen e korrupsionit në administratë. Do e fusim shtetin në smartphone e qytetarit dhe do e shkulim nga xhepat e korrupsionit. Para 8 vitesh ishim brima e zezë në fund të kavallit të këtij rajoni, ndërsa tani e mbyllim këtë mandat me rezultate pozitive. Mandate pozitive kemi edhe në luftën kundër krimit. Do të rrisim më tej sigurinë në çdo drejtim, që nga qarkullimi rrugor, e deri te sigurimi i një kontrolli permanent në kohë reale 24 orë i territorit. Kjo sfidë i kalon qeverisë tjetër, me një bazë garancie për t’ia dalë me sukses.

Jemi të gjithë krenarë me atë që është bërë në fushën e mbrojtjes dhe punët e jashtme. Reputacioni ndërkombëtar, respekti i aleatëve tanë, përfshirja si asnjëherë më parë i diasporës në raport me qeverinë, vetë imazhi i vendit tonë, nuk kanë asnjë krahasim fare me vitin 2013. Janë shumë më lart sot se në vitin 2017. Kjo qeveri e mbyll mandatin me realizimin e të gjitha kushteve dhe stërkushteve për integrimin dhe me hapjen e një kapitulli të ri, si nismëtare e “Ballkanit të Hapur”. Polemika për Ballkanin e Hapur dhe akuzat e hatashme ndaj qeverisë dhe ndaj meje, nuk më shqetësojnë fare dhe nuk duhet të na shqetësojnë aspak në mandatin e tretë. Ka shumë tym e zjarr të ndezur, por qeveria e re do të vazhdojë përpara edhe në këtë drejtim, pa humbur asnjë ditë të vetme. Kam besim se me qeverinë e Kosovës do bëjmë plot punë të mira, pavarësisht mosdakordësisë me “Ballkanin e Hapur””, deklaroi Rama.