Aplikacion
Në këtë konferecë ata deklaruan përfundimin e luftës dhe e cilësuan këtë “një moment krenarie dhe historik” për Afganistanin, pasi të gjithë “pushtuesit e huaj u dëbuan pas 20 vitesh luftë e sakrifica”.
Në këtë konferencë, zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid tha se janë falur të gjitha ata që rezistuan ndaj tyre me armë.
“Ne nuk duam armiq as të jashtëm dhe as të brendshëm”, deklaroi zëdhënësi.
Talibanët thanë se nuk kishin për qëllim hyrjen e armatosur në Kabul, por vetëm ta rrethonin kryeqytetin dhe të detyronin qeverinë e vjetër që të bashkëpunonte për një tranzicion të butë të pushtetit.
“Por ne u detyruam që të hyjmë për shkak se policia dhe ushtria e qeverisë së vjetër braktisi detyrat dhe hymë për të shmangur kaosin dhe garantuar sigurinë e qytetarëve”, thanë talebanët.
Në lidhje me të drejtat e grave, talebanët shprehen se ato mund të shkollohen dhe punojnë, por brenda rregullave dhe normave të sharias dhe interpretimit të këtij ligji islamik nga talibanët.
“Kemi të drejtën që të veprojmë dhe jetojmë sipas parimeve tona fetare. Vende të tjera kanë qasje të tjera, rregulla të tjera. Afganët kanë të drejtë të kenë të tyret në përputhje me vlerat tona. Zotohemi për të drejtat e grave brenda sistemit të sharias. Ato mund të punojnë dhe ne duam të garantojmë komunitetin ndërkombëtar se nuk do të ketë diskriminim”, tha zëdhënësi i talibanëve.
Media gjithashtu u tha se mund të punojë e lirë, por edhe ajo brenda rregullave dhe vlerave islamike që mbrojnë talibanët, ndërsa paralajmërimi i parë për gazetarët ishte që të mos punonin kundër talibanëve.
“Duhet të punoni për unitetin e kombit”, ishte këshilla talibane.