zoom

Bota

Ku do të vendosen afganët në Kosovë? Njihuni me dy zonat që po bëhen gati

Krahas Qendrës së Azilit në Vranidoll dhe Magurë, refugjatët afganë që pritet të vijnë për strehim në Kosovë po pritet që të vendosen edhe tek Parku Inovativ në Prizren dhe tek kampi i KFOR-it francez në Maxhunaj të Vushtrrisë. E në bazë të këtyre kapaciteteve po besohet se në Kosovë mund të strehohen deri në 10 mijë civilë afganë, për çka po kërkohet mbikëqyrje në aspektin e sigurisë.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se gatishmëria e shtetit të Kosovës për të bashkëpunuar me shtetin amerikan për të strehuar refugjatët afganë është gjest i mirë në aspektin politik. Por, siç shprehet ai, për Kosovën, kjo do të jetë një sfidë e madhe në aspektin e sigurisë dhe ekonomisë.

Ibishi thekson se shteti kosovar ka kapacitet që të strehojë deri në 10 mijë persona.

“Kjo është mirë në aspektin politik dhe vetë ne kem kaluar në atë fazë që kemi qenë të vendosur gati 1 milion banorë, por aspekti tjetër, edhe i vendosjes sipas kapaciteteve por edhe çështjeve të tjera financiare, ekonomike por edhe të sigurisë janë më të kufizuara, paraqesin sfidë për ne. Tash sa është mundësia ka pasur bisedime edhe më herët apo preliminare me lidershipin amerikan dhe besoj që përgatitjet janë bërë të gjithmbarshme edhe pse kjo ka shkuar me një shpejti të paparaparë. Më së shumti 10 mijë duke pasur parasysh se kjo është vala e parë e refugjatëve se ajo mund të plotësohet qoftë me ardhjen e familjarëve të tyre eventualisht edhe përcaktimin e tyre për një destinacion tjetër”, theksoi ai.

Për Nuredin Ibishin institucionet e sigurisë në Kosovës duhet ta ngrisin vigjilencën në aspektin e sigurisë dhe verifikimin e secilit prej refugjatëve që do strehohen tek ne.

“Në këtë fazë ne e kemi prej SHBA-ve një verifikim të sigurisë, aq sa ka mundur të bëhet, që ata janë pjesë e koalicionit qytetar-afgan, por që normal duke pasur parasysh që talebanët i kanë liruar të gjithë ata militantë të Al-Qaeda, Al-Nusra, mbi 5 mijë domethënë ata lehtë mund të infiltrohen në këtë valë të refugjatëve, për këtë arsye duhet të kemi kujdes nga sektori i sigurisë edhe pse ata janë përgatitur shumë mirë për këtë çështje, duhet të jemi të kujdesshëm që ata të verifikohen gjatë qëndrimit këtu dhe që jenë të mbikëqyrur në aspektin e sigurisë“, tha Ibishi.

Ndërsa, përKëshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, vendi ynë nuk ka kapacitet të strehojë numër të madh të refugjatëve dhe se vështirë do jetë të menaxhohet situata me ta.

Drejtori i KMDLNj-së, Behxhet Shala, për KosovaPress theksoi se Kosova nuk ka mundësi materiale dhe logjistike për të strehuar shumë refugjatë nga Afganistani.

Ai e sheh problematik edhe aspektin e respektimit të të drejtave të njeriut pasi fillimisht këta refugjatë do jenë të mbyllur dhe kjo sipas tij paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa, për Shalën, lënia në liri të tyre mund të paraqet rrezik për sigurinë kosovare.

“Kosova aktualisht nuk ka kapacitete, as materiale, as logjistike që t’i strehojë numër aq të madh të refugjatëve. Nëse në ndërkohë Qeveria e Kosovës lidh partneritet me organizata të mëdha botërore që merren me çështjet e refugjatëve mund të llogarisë që jo shpejt, por në plan më të gjatë, të strehojë numër të caktuar të refugjatëve nga Afganistani. Është normale që ata që janë të rrezikuar në një shtet dhe nëse kërkojnë mbështetje për azil në Kosovë, është procedura e pranimit të tyre, është afati kur u njihet afati i refugjatit apo i azilantit apo i refuzohet. Mendoj se do të jetë problem dhe do të jetë sfidë e madhe për Kosovën për faktin se nëse këta refugjatë i mbajmë mbyllur duket se ata do mbahen në objekte të mbyllura, atëherë menjëherë do akuzohemi si shkelës të të drejtave të njeriut. Nëse në një qasje të pakontrolluar i lironi 3-4 mijë persona atëherë do jetë problem që të menaxhohet situata sepse ne realisht nuk e dimë se a janë të gjithë ata që vijnë vetëm kundërshtarë të talebanëve, apo ndoshta në mesin e tyre ka talebanë të infiltruar dhe të cilët Kosova nuk ka kapacitet t’i mbikëqyr dhe në një plan afatgjatë nëse nuk arrihet një zgjidhje e shpejt do t’i sjellin problem Kosovës sepse nuk e shoh që do të jenë përkohësisht këtu”, theksoi Shala.

Shala thotë se refugjatët afganë që do kërkojnë strehim në shtetin e Kosovës është menduar që të vendosen në ish-kampin e KFOR-it gjerman në Prizren dhe kampin e KFOR-it francez në Maxhunaj të Vushtrrisë.

“Nuk ka mundësi të sistemohen 10 mijë persona, ata janë menduar që të strehohen në kampin e KFOR-it gjerman në Prizren, të strehohen në kampin e KFOR-it francez në Maxhunaj të Vushtrrisë dhe në ndonjë lokacion tjetër por është problem të sistemohen pa pasur refleksion apo ndikim tek popullata e afërt. Nuk është problem sigurimi i ushqimit e gjërave të tjera sepse këto do i sigurojnë ata që i sjellin këtu, mirëpo është problemi që ata t’i mbajmë nën kontroll”, u shpreh ai.