zoom

Ekonomi

Tregu i kriptomonedhave arrin në mbi 2 trilionë USD. Bitcoin pranë 48,000 dollarëve

Tregu i kriptovalutave duket se po e rimerr veten, pasi gjatë fundjavës bitcoin preku kufirin e 48,000 dollarëve, niveli më i lartë që nga mesi i majit. Rimëkëmbja e bitcoin vjen pas një shitje masive dhe paqëndrueshmërie, gjatë qershorit dhe korrikut, kur ra poshtë 30 mijë dollarëve. Por, gjatë këtij muaji është rimëkëmbur gradualisht. Rritja e bitcoin ka bërë që tregu global i kriptovalutave të rritet sërish në mbi 2 trilionë dollarë në ditën e hënë, për herë të parë që nga mesi i majit, referuar të dhënave të CoinMarketCap, që gjurmon çmimet e monedhave dixhitale.

Tregu i kriptomonedhave është përballur me shumë “stuhi” gjatë verës, dhe një ndër më të mëdhatë ishte rritja e kontrollit nga qeveria kineze që detyroi shumë kompani të mbyllen ose të zhvendosin operacionet në vende të tjera. Kjo ishte arsyeja kryesore, që rrëzoi bitcoin poshtë 30 mijë dollarëve. Ndërkohë, Senati amerikan miratoi një projektligj të infrastrukturës javën e kaluar, por pa përfshirë ndryshimet e propozuara mbi taksimin e kriptovalutave.

Kjo u pa si një goditje për komunitetin e monedhave dixhitale, por disa të tjerë thanë se tregoi që qeveria amerikane po e merr seriozisht këtë industri. Tashmë, analistët parashikojnë se bitcoin mund të rritet më tej drejt 55 mijë dollarëve, por nuk përjashtohet edhe një tërheqje domethënëse pranë 30 mijë dollarëve. Gjithsesi, analistët janë besimplotë se, pavarësisht luhatjeve, rruga e bitcoin drejt 100 mijë dollarëve ka filluar. Klevis Llaha-Scan