zoom

Aktualitet

VIDEO/ Tërhoqi për disa metra efektivin e Rrugores dhe e goditi, policia arreston 31-vjeçarin pas publikimit të pamjeve të dhunës

Policia ka arrestuar 31-vjeçarin, i cili ditën e djeshme u filmua në mes të Tiranës duke dhunuar një efektiv të policisë rrugore në detyrë.

Ngjarja ka ndodhur tek rrethrrotullimi i Unazës së Re, në rrugën “Sotir Caci”, ndërsa në video shihet momenti teksa qytetari godet policin me grushte e shqelma ndërsa ai tentoi ta ndalojë.

Sipas bluve, polici i ka bërë shenjë ndalimi automjetit ku udhëtonte i riu me iniciale F. K., pasi ka konstatuar lëvizje të pakontrolluara në rrugë.

Por 31-vjeçari nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar, por ka vijuar lëvizjen duke tërhequr punonjësin e Policisë, për disa metra dhe duke i rrezikuar jetën.

Punonjësi i Policisë mësohet se e ka ndjekur dhe ndaluar automjetin, dhe i ka kërkuar të riut që t’i paraqesë dokumentacionin.

Por 31-vjeçariu e ka kundërshtuar dhe më pas e ka goditur punonjësin e Policisë, duke i shkaktuar dëmtime fizike.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Tv Klan Video (@tvklanvideo)

Njoftimi i policisë:

Kundërshtoi dhe goditi për shkak të detyrës, punonjësin e Policisë Rrugore, në detyrë, vihet në pranga 31-vjeçari.

Më datë 18.03.2025, te rrethrrotullimi i Unazës së Re, në rrugën “Sotir Caci”, punonjësi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, i planëzuar me shërbim, i ka bërë shenjë ndalimi një automjeti, pasi ka konstatuar lëvizje të pakontrolluara në rrugë. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar, por ka vijuar lëvizjen. Duke vijuar lëvizjen, drejtuesi i automjetit e ka tërhequr punonjësin e Policisë, për disa metra, duke i rrezikuar jetën. Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe ndaluar automjetin, dhe i ka kërkuar drejtuesit, t’i paraqesë dokumentacionin. Drejtuesi i automjetit e ka kundërshtuar dhe më pas e ka goditur punonjësin e Policisë, duke i shkaktuar dëmtime fizike.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat drejtuesin e automjetit, dhe në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të tij, konkretisht shtetasit F. K., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Postime të lidhura