Aplikacion
Mjetet u pritën në aeroportin “Nënë Tereza” nga zv.ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici, Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako, përfaqësues të ambasadave përkatëse, Shefi politik i delegacionit të BE-së në Tiranë, Alexis Hupin.
Bici njoftoi se puna e helikopterëve do të nisë nesër në mëngjes herët. Ndërsa, shefi politik i delegacionit të BE, Alexis Hupin tha se ndihma që vjen nga Bashkimi Evropian është shenjë e solidaritetit evropian.
“Kjo është një shprehje e solidaritet të Bashkimit Evropian dhe duam t’i qëndrojmë në krah të Shqipërisë në këto momente. Jemi këtu për të mbrojtur jetët e njerëzve që po preken nga këto zjarre dhe gjithashtu bukuritë e natyrës shqiptare. Nesër fillon puna me helikopterin”, u shpreh Hupin.
Nga Çekia mbërriti helikopteri i parë, nga 3 që pritet t’i bashkohen flotës së ndihmës për shuarjen e flakëve. Bashkë me helikopterët, pjesë e ndihmës janë edhe mbi 50 forca ushtarake të specializuara në fushën e emergjencave civile, të cilët do t’i bashkohen efektivëve shqiptarë që prej ditësh janë në përpjekje të pandërprera për shuarjen e flakëve në disa zona të Shqipërisë.
Bashkimi Evropian aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile për t’u ardhur në ndihmë disa prej shteteve më të prekura nga zjarret si Shqipëria, Italia, Greqia e Maqedonia e Veriut.