zoom

Aktualitet

KLSH kontroll në institucionet e Emergjencave Civile, audit tenderimeve për blerjen e pajisjeve

Nis tashmë zyrtarisht kontrolli i KLSH në të gjitha institucionet që janë pjesë e procesit të emergjencave.

Audituesit kanë nisur mbledhjen e dokumentacioneve në drejtorinë e përgjithshme të emergjencave civile si dhe hallka të tjera të Ministrisë së Brendshme që lidhet me emergjencat civile ,në ministrinë e mbrojtjes si dhe ato të pushtetit vendor .

Me urdhër të kryetarit të KLSH, Arben Shehu, do të auditohen të gjitha tenderimet e viteve të fundit për blerjen e paisjeve të emergjencave .

Ky kontroll nisi pas zjarreve të fundit ku pati akuza të shumta se punonjësve ju mungonin pajimet bazë. Nisja e këtij kontrolli pati një bllokim nga ana e strukturës së Emergjencave Qendrore Civile pasi drejtori Haki Çako ishte me pushime, duke shkaktuar dhe një reagim nga kreu i KLSH, Arben Shehu i cili i bëri thirrje për rikthim në punë.

Pas rikthimit një ditë më parë, ka nisur kontrolli edhe në këtë institucion. Gjithashtu, KLSH do të auditojë dhe verifikojë në Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes si dhe pushtetin vendor, të gjitha paisjet që janë në dispozicion për raste emergjencash si ajo që po përjeton aktualisht vendi.