zoom

Ekonomi

Shqiptarët blenë 6.3 mld lekë gurë të çmuar në 11 muaj

Importi i perlave natyrale, gurëve të çmuar dhe bizhuterive arriti rekord të ri në muajin Nëntor të këtij vitit tregojnë të dhënat më të fundit nga “Instituti i Statistikave”.

Sipas shifrave, gjatë vitit 2024, pra deri në muajin Nëntor, u importuan 6.3 miliardë lekë perla natyrale, gurë të çmuar dhe bizhuteri. Kjo shifër ka shënuar një rritje prej 41%, krahasuar me njëmbëdhjetë muajt e vitit 2023, ose rreth 1.8 miliard lekë më shumë. Shifrat tregojnë se përgjatë muajve të këtij viti importi i perlave natyrale dhe gurëve të çmuar ka regjistruar rekord pas rekordi.

Nëntori i këtij viti jo vetëm ka shënuar vlerën më të lartë prej 1.4 miliardë lekësh, por ka edhe një diferencë të konsiderueshme, krahasuar me rekordin e mëparshëm, pra muajin Tetor të po këtij viti.

Italia dhe Turqia përbëjnë gati 90% të peshës së imorteve të gurëve të çmuar dhe perlave përgjatë periudhës Janar-Nëntor të këtij viti.

Rritja e lartë e importit për këtë produkt në muajin Nëntor mund të jetë si pasojë e ndikimit të festave. Siç dihet një nga sektorët që përfiton më shumë gjatë festave është ai i veshjeve dhe aksesorëve. Shqiptarët kanë një traditë të gjatë të veshjeve festive, dhe gjatë kësaj periudhe, dyqanet raportojnë një rritje të ndjeshme të kërkesës për veshje të reja dhe aksesorë të veçantë. Krijimet e personalizuara dhe aksesorët unikë janë veçanërisht të preferuar.

Ndërkohë, nga ana tjetër, siç është përmendur edhe më herët, rritja e kërkesës në muaj të caktuar të vitit mund të jetë edhe pasojë e frikës për një zhvlerësim të mundshëm të mjeteve monetare.

Postime të lidhura