Aplikacion
Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet palestineze. Sindikata e Gazetarëve Palestinez tha se gazetarët e Al-Quds Today, ishin në një makinë transmetimi përpara spitalit Al-Aëda në kampin e refugjatëve Al-Nuseirat në Gaza qendrore.
Kanali me bazë në Gaza e quajti sulmin një masakër.
Ndërsa uishtria izraelite pretendoi se sulmi kishte shënjestër një automjet që mbante militantë të Xhihadit Islamik.
Pesë punonjësit e mediave ishin në mesin e të paktën 21 personave që mbetën të vrarë nga sulmi i orëve të para të mëngjesit.
Izraeli ka mohuar rregullisht se ka shënjestruar gazetarët dhe thotë se ka marrë hapa për të shmangur goditjen e civilëve.
Sulmet e fundit vijnë në një kohë që Izraeli dhe Hamasi po akuzojnë njëri tjetrin për vonesën e marrëveshjes së armëpushimit për të cilën perëndimorët vazhdimisht kanë thënë se ishte afër arritjes.
Ndonëse Izraeli dhe Hamasi kanë shprehur optimizëm se po bëhet përparim drejt një marrëveshjeje, ngecjet mbeten për shkëmbimin e pengjeve për të burgosurit palestinezë dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza.
Lufta më shumë se një vjecare mes Izraelit dhe Hamasit ka shkaktuar deri më tani më shumë se 45 mijë viktima, dhe ka lënë pas një Gazë të shkatërruar me kushte humanitare të tejskajshme.