zoom

Aktualitet

Një pardesy 200 mijë lekë, u ble 500 mijë lekë! Ç’fshihet pas perdes së TK, Altin Basha punëson gruan e të besuarit e tij

Nepotizmi duket se fshihet pas perdes së Teatrit Kombëtar. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha, i cili u emërua dy vite më parë me vendim të Këshillit të Ministrave, në konflikt të hapur interesi mësohet se ka punësuar bashkëshorten e tij, Ilirjana Basha.

Sipas emisionit investigativ “Piranjat”, Altin Basha ka punësuar gruan si skenografe dhe kostumografe në shfaqjen “Vojçek”, e miratuar nga bordi artistik në mars të vitit 2023, me regji të japonezit Kuniaki Ida.

Çifti artistëve kanë kamufluar aktivitetin e tyre pasi, sipas dokumentave, Iliriana Basha s’ka marrë asnjë pagesë për punën e saj dhe ka bërë punë “vullnetare”.

Por këtu mesa duket fshihet e gjithë kleçka, pasi gruaja e Drejtorit të Teaterit ka kërkuar 12 milionë lekë për kostumet e aktorëve edhe pse teatri ka një garderobë që mund të përdorej

Ajo nuk ka përdorur asgjë nga garderoba dhe për veshjet e aktorëve është paguar një shifër prej gati 11 milionë lekë.

Sipas emisionit investigativ, çudia më e madhe qëndron tek çmimet e veshjeve pasi për pardesytë e aktorëve meshkuj janë paguar 500 mijë lekë, ndërsa për fustanet e aktoreve janë dhënë në disa raste nga 270 mijë lekë.

Rrobaqepësi Musa Fisniku, njëri nga bashkëpunëtorët e çiftit Basha, tha se ka punuar veshjet për shfaqjen në fjalë dhe se për një pardesy që Teatri Kombëtar ka paguar 500 mijë lekë, ai ua la “Piranjave” për 200 mijë lekë.

Altin Basha: S’kam qenë në konflikt interesi, kontrata e saj është me 0 është pa pagesë. Shifra për kostumet nuk është e fryrë.

Gazetarja: 500 mijë lekë për një pardesy? Shifër normale për ju?

Altin Basha: Nuk është kjo, jo

Gazetarja: Keni paguar 500 mijë lekë?

Iliriana Basha: Jo unë s’kam paguar

Gazetarja: I ka paguar Teatri Kombëtar

Iliriana Basha: Unë kam bërë skicat, nuk jam paguar për atë shfaqje fare, se është konfikt interesi.

Fondet nuk i marr unë, nuk i prek unë fondet. Unë bëj skicat.

Gazetarja: Rrobaqepësi ka thënë se pardesy kushton 20 mijë lekë

Iliriana Basha: Unë nuk i di çmimet, rrobaqepës që qep në lagje apo në Teatër?

Gjithashtu për këtë shfaqje, Drejtori i TK ka punësuar edhe dy persona nga rrethi i tij i të besuarve, si Ervis Saliasin dhe Benada Shutën, të cilët kanë punuar për emisionin “Fustanella” të Altin Bashës, i pari si moderator dhe e dyta skenariste.

Benada Shuta është punësuar në shfaqjen “Vojçek” si make up artist (grimiere), por ndërkohë Shpresa Vasili, ish-grimiere e Teatrit Kombëtar, që tashmë ka dalë në pension tha për “Piranjat” se grimin tek kjo shfaqje e ka bërë e vetme.

Po ashtu Benada Shuta ka dhe një aktivitet të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku shkruhet se vepron në këto fusha si skenariste, asistent regjisore, organizatore dhe producente ekzekutive, pra askund nuk shfaqet si make up artist. Por pavaresisht kësaj, ajo ka marrë katër milionë lekë si grimiere e shfaqjes “Vojçek”.

Altin Basha duket se ka zgjatur duart edhe nga Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Pavarësisht se është drejtor i Teatrit Kombëtar, ai ka vënë në skenën e eksperimentalit shfaqjen  “E kuqe” dhe ka përfituar 24 milionë lekë fonde për këtë shfaqje, raporton “Piranjat”.

Gjithashtu edhe këtu skenografe dhe kostumografe ishte bashkëshortja e tij, Iliriana Basha. Shfaqja “E kuqe” ka pasur vetëm dy aktorë, Gentian Zenelaj dhe Urim Aliaj dhe për të janë vendosur në dispozicion një personel me thuajse 13 persona mes tyre kostumograf dhe asistent kostumograf, skenograf dhe asistent skenograf, regjisor për efekte audiovizuale, regjisor ndriçimi.

Pavarësisht se për çdo shfaqje këto emra bëhen publikë, “Piranjt” informojnë se Teatri Eksperimental nuk e jep si informacion me justifikimin se nuk ka autorizimin për të dhënë të dhëna konfidenciale, duke lënë vend për dyshim se diçka po mbahet e fshehtë nga Altin Basha dhe Gjergj Prevazi, drejtori i eksperimentalit.