zoom

Lajme

Rama nis konsultimet për mbylljen e TikTok-ut nga shkolla “Sami Frashëri”: Sistem monitorimi

Ndërkohë që prindërit, nxënësit dhe qytetarët protestonin para Ministrisë së Arsimit për vdekjen e 14-vjeçarit Martin Cani, duke kërkuar që ministria të mbajë përgjegjësi për rastin, Kryeministri Edi Rama ka nisur dje pasdite konsultimin me një grup prindërish në lidhje me propozimin për ndalimin e TikTok dhe Snapchat.

Nga shkolla “Sami Frashëri”, Rama tha se ka një projekt të nisur prej një vit dhe deri në fund të dhjetorit do të firmoset edhe marrëveshja.

“Bëhet fjalë për sistem të ri të monitorimit të shkollave me teknologji dhe financim i konsiderueshëm që do ta marrim përmes një marrëveshjeje me Emiratet e Bashkuara. Sistem i testuar në Emirate me rezultate të jashtëzakonshme që mundëson ndjekjen në kohë reale me kamera të të gjithë procesit mësimor dhe jetës brenda oborrit të shkollës duke bërë thjeshtë një kërkesë në shkollë”, tha Rama.

Ndër të tjera, Rama tha se “do të vendosim kontroll digjital të hyrjeve dhe daljeve nga shkolla, për çdo lloj mjeti metalik apo telefon, në mënyrë që të zbatojmë strikt rregullin e vendosur”.

Rama tha se jetojmë në një botë që ka hyrë në një autoritet tjetër që është autoriteti i telefonit dhe vendosja e filtrave në rrjetet sociale nuk mund të jetë një zgjidhje.

“Filtrat që të detyrojnë të vendosësh moshën dhe identitetin, të fusin në rrugica të tjera pasi menjëherë kërkon vendosjen e të dhënave dhe kjo bie ndesh me politikat e kompanive ku duhet të ruhet identiteti. Filtrat janë larg së qeni zgjidhja. Australia që po mendon të bëjë këtë, nuk e ka zgjidhjen si duhet të bëhet gjithë kjo. Vendosja e bllokimit total është zgjidhja më e mundshme”, tha Rama, duke shtuar se kjo nuk është zgjidhja e problemeve, por është një element që “mund të na sjellë në një ngushtim të rëndësishëm të hapësirës që e stimulon, e frymëzon, e nxit dhunën, bullizmin dhe budallallëkun në përgjithësi”.