zoom

Aktualitet

Fabrika INCA gjobitet për ndotje pas protestave të banorëve të Lezhës

Pretendimi i banorëve të lagjes Skënderbej në Lezhë se fabrika e përpunimit të mbetjeve shtazore INCA ndot mjedisin ka marrë një kthesë domethënëse.

Dy kontrolle të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) e gjetën fabrikën në shkelje sa i takon derdhjes së ujërave në kanalin ujëmbledhës.

Analizat e AKM-së, të marra në dy orare të ndryshme (11:30-16:30; 12:00-16:30) të datës 24 tetor, treguan se shkarkimet ishin tej normave të lejuara dhe për këtë u vendos pezullim aktiviteti dhe dy gjoba me nga 1,000,000 lekë.

Vendimi përfundimtar i inspektimeve, së bashku me kërkesën për bashkëpunim në zbatimin e këtyre masave që AKM-ja u ka drejtuar Bashkisë Lezhë dhe policisë lokale u bë me dije nga aktivistja Arilda Lleshi, e cila i botoi këto dokumente në rrjetet sociale.

Citizens.al iu drejtua kompanisë INCA për një koment sa i takon kontrolleve, por nuk mori përgjigje deri në momentin e botimit të këtij shkrimi.

Më herët përfaqësues të saj qenë shprehur se kompania bazohet 100% në ekonomi qarkulluese dhe punon në harmoni me mjedisin.

“Një fitore e parë për qytetarët e Lezhës, pas ankesës sonë, AKM ka inspektuar kompaninë dhe ka konkluduar se shkarkimet janë mbi normat e lejuara, duke konfirmuar se shqetësimi i qytetarëve ishte i drejtë,” komentoi Lleshi, një ndër aktivistet kryesore kundër ndotjes nga fabrika INCA.

Por pavarësisht këtij vendimi Lleshi thotë se zgjidhja mbetet mbyllja dhe zhvendosja e fabrikës.

“Ajo vazhdon punën pavarësisht vendimit, duke u bazuar te paqartësia, apo hapësira ligjore që i është lënë. Ka punuar gjatë gjithë këtyre ditëve, edhe pse kanë kaluar pesë ditë nga publikimi vendimit” u shpreh Lleshi duke shtuar se fabrikës nuk i janë pezulluar shkarkimet në ajër, por vetëm në ujë.

Aktivistja, e cila përveç protestave të shumta, organizoi edhe mbledhjen e një peticioni, shprehu me shqetësim faktin se shkarkimet në ujë mund të vijojnë sërish pasi është e vështirë të monitorohet në terren.

Kujtojmë se një nga shqetësimet kryesore të banorëve mbetet ndotja e ajrit. Ata pretendojnë se nga fabrika lëshohet aromë e rëndë, por kjo specifikë duket e vështirë për t’u faktuar nga AKM, e cila nuk ka pajisje që mund ta verifikojnë një gjë të tillë.

“Ne kemi frikë se mund të ketë një rregullim dokumentacioni, siç ka ndodhur herët e kaluara, edhe të vazhdojë sërish puna. Ne do mobilizohemi sërish deri në një zgjidhje përfundimtare, pra deri në largimin e fabrikës,” theksoi Lleshi për Citizens.al.

Marrja e vendimit për pezullim të pjesshëm të aktivitetit të kësaj fabrike erdhi dy javë pas takimit që banorët e zonës patën me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, të cilët premtuan shqyrtimin e kësaj problematike.

Bnaorët e zonës, së bashku me një grup aktivistësh, prej kohësh janë angazhuar në iniciativa të ndryshme, për të shprehur indinjatën ndaj ndotjes që shkakton aktiviteti i fabrikës INCA.

Më shumë se 1,700 firma janë mbledhur nëpërmjet një peticioni fizik, i dorëzuar në institucionet lokale, i cili adreson shqetësimet qytetare.

Kompania “INCA”, themeluar dhe drejtuar nga Alban Zusi, ka si aktivitet kryesor përpunimin e mbetjeve shtazore. Ajo u mbështet nga qeveria shqiptare dhe BE-ja me financim nga programi “IPARD II”.

“INCA” përfitoi rreth 135 milionë lekë investim për pajisje dhe makineri të fabrikës, e cila u përurua më 16 shkurt 2020 me prezencën e Bledi Çuçit, asokohe Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Zusi ishte zëvendësministër i Bujqësisë në mandatin e parë të qeverisë Rama. Ai ushtroi këtë detyrë në kabinetin e Edmond Panaritit deri më 30 shtator 2015 kur u dorëhoq për “arsye personale”. /Elira Kadriu – Citizens.al