zoom

Ekonomi

Vendimi/ Një moderator dhe një ish-kryebashkiak, investitorë strategjikë në Lukovë

Ish-kryebashkiaku i Vorës, Hekuran Brahimaj dhe Turjan Hysko, i njohur si moderator në televizion, por i lidhur me PS-në për shkak të të vëllait Eljo Hysko, ish-kryetar i FRESSH dhe ish-deputet janë dy investitorët më të rinj strategjikë në Shqipëri.

Dy investitorët e rinj janë dy persona të lidhur ngushtë me Partinë Socialiste, të cilët janë bërë bashkë për të marrë falas 77 mijë metër katrorë në bregdetin e Lukovës, ku do të ndërtojnë hotele dhe një fshat të madh turistik.

Dy kompanitë zhvilluese të projektit janë Lukova Bayside Hotel & SPA shpk si dhe TO 27 Construction, e para e Brahimajt dhe e dyta e Hyskos.

Kompania e parë zotërohet nga dy aksionerë. Hekuran Brahimaj, ish kryetari socialist i Bashkisë së Vorës zotëron 65 të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër prej 35 për qind e aksioneve zotërohet nga Turjan Hysko. Kompania e dytë, TO 27 Construction zotërohen në masën 100 për qind nga Turjan Hysko.

“Projekti i investimit parashikon ndërtimin e një resorti turistik luksoz me vlerë 50 milionë euro, i cili do shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 158 mijë metrash katrorë truall.

Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, projekti prek një sipërfaqe prej 41,915 m2 në pronësi private të subjekteve aplikuese dhe një sipërfaqe prej 76,950 m2 në pronësi shtet. Ndërkohë, subjektet për një sipërfaqe prej 39,009 m2 janë në fazë negociatash me subjekte private.

Komiteti i Investimeve Strategjike i kryesuar nga Edi Rama ka miratuar në parim dhënien falas të sipërfaqes prej 77 mijë metër katrorë tokë shtetërore për dy kompanitë.

“Miratohet në parim masa mbështetëse vënie në dispozicion të pasurisë së paluajtshme shtetërore me sipërfaqe prej 76,950 m2, në ZK. 2518, e zërit kadastral “ullishte” dhe “pemtore”, vetëm pasi të jenë kryer të gjitha verifikimet e nevojshme dhe konfirmimet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës përsa i përket saktësimit të vendndodhjes (parcelat e detajuara), sipërfaqes, statusit të tyre juridik dhe për aq kohë sa nuk ekzistojnë mosmarrëveshje administrative dhe/ose gjyqësore me shtetin në pasurinë objekt të investimit strategjik,” thuhet në vendimin e KIS, raporton Kapitali.al.